Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar emrin e Gent Sejkos për t’u rizgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Në njoftimin e institucionit të Presidentit, theksohet se “vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal”.
Gjithashtu, thotë Presidenca, është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar që sektori financiar, të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid.
“Megjithatë, në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, citohet nga njoftimi.
Ndërkaq, sipas institucionit të Presidentit, rreziku i rritjes së kredive me probleme shton rëndësinë e një monitorimi të ngushtë të cilësisë së portofolit të kredisë së bankave, ruajtjen e rezervave të kapitalit dhe forcimin e kornizave të zgjidhjes së kredive të këqija.
“Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje që lidhen me rritjen e borxhit publik dhe të ekspozimit ndaj rritjes së portofolit të projekteve të Partneritetit Publik Privat”, thotë njoftimi i Presidencës.
Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022.
Top Channel