Partia Demokratike ka akuzuar këtë të hënë kryeministrin Edi Rama për krijimin e një operacioni kriminal të kanabizimit të Shqipërisë.
Forca më e madhe opozitare në vend, mendon se arrestimi i ish-gjeneralit të Guardia di Finanza, Fabrizio Lisi, nxori në dritën e diellit fijet që lidhin Edi Ramën me krijimin e një operacioni të tillë kriminal në vend.
Ishte deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili tregoi se investigimet e medias italiane dhe asaj shqiptare, tregojnë se miku italian i Ramës dhe njeriut të tij më të afërt, Engjëll Agaçi, është personi që në kulmin e kanabizimit servirte raporte për asgjësimin e 99 për qind të drogës në Shqipëri.
Salianji thotë se këto raporte, të cilat trumbetoheshin nga qeveria si suksese, mashtronin për qëllime kriminale shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Arrestimi i Fabrizio Lisit dhe dalja në pah e lidhjeve të tij me njeriun më të afërt të Ramës, është prova se kthimi i vendit tonë në një Kolumbi, është bërë nga ata që kanë pushtetin politik, qeverisës dhe ekonomik, kriminal dhe që janë të zotë të korruptojnë e të fusin në thes edhe drejtues të lartë të Guardia di Financa-s italiane”, tha ai.
Sipas tij ky investigim i mediave, ka nxjerrë në pah se gjenerali Fabrizio Lisi, ishte mik i ngushtë me një avokat shqiptar që quhej Ëngjëll Agaçi.
“ Sipas investigimeve të medias italiane dhe asaj shqiptare, Ëngjëll Agaçi ka qenë lidhja e Lisit me Shqipërinë dhe për rrjedhojë porositësi i raportit kriminal të 99 përqind të kanabisit të eleminuar në Shqipëri.Dihen botërisht fjalët adhuruese të gjeneralit italian për Ramën dhe përfitimet e tij në Shqipëri që nga trojet e deri tek dhuratat e majme që merrte në Vlorë e jo vetëm”, tregon Salianji.
Lidhur me këtë, ai thotë se televizioni italian “RAI 3” publikoi një seri kronikash mbi trafikun e drogës nga Shqipëria, ku në njërën prej tyre, flitej pikërisht për gjeneralin italian të Guardia Di Finanza, Fabrizio Lisi, i cili pas daljes në pension, drejtonte një shoqatë kulturore italiane.
“Shoqatës i ishin dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas gazetarit të “RAI 3”, Valerio Kataldi prona në Vlorë i ishte dhuruar nga një person i hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita dhe investimet e saj në Shqipëri. Lidhjet e Agacit me gjeneralin e korruptuar italian, tashmë i arrestuar, janë provë se vetëm një njeri me pushtet absolut pranë Edi Ramë, mund të ndërmerrte një operacion të tillë dhe se Saimir Tahiri, ministri i dënuar për bashkëpunim me bandën e Habilajve, ishte vetëm zbatuesi i këtij operacioni”, tha ai.
Sipas tij, askush nuk do të guxonte të ndryshonte raportet e Guardia di Finanza, e aq më pak të kanabizonte Shqipërinë së bashku me krimin e organizuar pa lejen, bekimin, mbështetjen dhe porosinë e Edi Ramës, qoftë ky edhe Agaçi i tij.
“Adhuruesi i Edi Ramës sot është në pranga në Itali pasi atje ka shtet ligjor e jo shtet që fle e ha me krimin. Ky është një rast tjetër ku britmat nga shteti italian për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri kumbojnë, prej kohësh drejtues të antimafias italiane, prokurorë, drejtues të lartë të organeve ligjzbatuese italiane kanë ngritur alarmin për trafikun e drogës dhe krimin. Pak kohë më parë përfaqësuesit e Italisë, ambasada italiane ngriti shqetësimin mbi problematikën e kanabizimit të Shqipërisë dhe rritjes së trafikut të kanabisit në drejtim të vendit fqinj. Ky shqetësim ende nuk ka marrë as vëmendjen e duhur se për tu adresuar as që bëhet fjalë”, tha Salianji.
Për deputetin demokrat SPAK duhet të provojë se meriton të mbështetët dhe të çojë para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të kanabizimit të Shqipërisë.
Top Channel