Ish kampi i përqendrimit në Tepelenë ka që prej ditës së sotme një ekspozitë të përhershme të dëshmive, statistikave dhe krimeve të kryera nga familjarëve të kundërshtarëve të regjimit, kryesisht të moshuar, gra dhe më së shumti fëmijë.
Ky institucion terrori funksionoi që prej vitit 1947 deri në vitin 1953 dhe shkaktoi shumë padrejtësi dhe dhimbje. 300 fëmijë humbën jetën nga uria dhe epidemia e dizanterisë në dy muajt e fundit të vitit 1950. Simon Miraka fëmijë i mbijetuar i kampit përsëriti edhe këtë si aspektin më tragjik të atij realiteti dhimbjen e nënave.
Gjithashtu Fatbardha Mulleti që për më shumë se tri dekada grumbulloi dëshmitë e grave të internuara brenda kampit vëren se ndërgjegjja ulët dhe drejtësia e munguar për krimet e komunizmit mund të penalizojë të ardhmen.
Në vitin 1955 kampi i Tepelenës dhe trajtimi çnjerëzor, torturat dhe dhunimi i të drejtave të njeriut atje u denoncuan prej SHBA dhe CIA në OKB e kjo ishte edhe një prej arsyeve të mbylljes së kampit. Ambasadorja Yuri Kim tha se do të vijojnë ta mbështesin Shqipërinë për gjetjen e fakteve.
Yuri Kim: “Kur një fëmijë vdes ai varroset në zemrën e prindit dhe memorja e fëmijëve që humbën jetën këtu prehet në zemrat tona.
Askush nuk do ta rijetojë të shkuarën por për hir të drejtësisë duhet të përballemi me të shkuarën dhe të sigurojmë paqen e tju japim një varr të vdekurve.Ne do të vazhdojmë tju mbështesim për të gjetur drejtësi dhe fakte.”
Në kampin e Tepelenës u internuan rreth 1500 familje, 1254 gra, 963 burra dhe 1163 fëmijë. Hapja e dosjeve për këtë kamp nisi vetëm në vitin 2018. Dëshmitë e të mbijetuarve i hapën rrugën, memorjes dramatike rreth punës së detyruar, dëbimeve, internimeve, konceptit të “armikut të popullit” dhe atyre që ende nuk e kanë një varr.
Top Channel