Dosja/ Vrasja e bujshme e Agim Bucit, çfarë deklaroi i penduari: Isha i shokuar, më kërcënuan edhe në komisariat

14/02/2022 15:54

Procesi gjyqësor ndaj dy të pandehurve për vrasjen e Agim Bucit dhe plagosjen e bashkëshortes së tij në sy të djalit të mitur, mori tjetër rrjedhë në gjykatën e Apelit të Tiranës. Njëri nga të akuzuarit gjatë gjykimit që është në pritje të rezultateve të kriminalistikës, pohoi se ishte paguar për të vrarë Agim Bucin.

Mirëpo një gjurmë e këqyrur në një skenë krimi në Kamëz, e cila u krahasua me të dhënat papilare të një vrasësi me pagesë, u bë shkak për rihapjen e vrasjes se Agim Bucit, i vrarë nga disa persona, që më pas janë dënuar.

Teksa ngjarja është hetuar si vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen e Bucit, shkresa që konfirmon Albert Zajen si autorin e tretë iu përcoll prokurorisë në fillim të këtij muaji.

Për vrasjen e Bucit nën akuzë dhe të dënuar nga shkalla e parë janë Ruzhdi Hoda dhe Vladimir Kurti, kurse Zaja, 38 vjeç rezulton i prangosur për vrasjen e dyshuar me pagesë të Shkëlzen Kastratit ndodhur në Fier.

Kurti, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë për krimin e rëndë që tronditi vendin, i tha trupës gjykuese se vrasjen e Bucit e kreu kundrejt pagesës dhe jo për grabitje.

Ai pretendon se urdhërues i krimit është Albert Zaja. Ky i fundit ishte personi që i kishte vënë në dispozicion armën e krimit dhe i kishte dhënë paraprakisht edhe shumën prej 1 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër prej 30 mijë eurosh, sipas marrëveshjes, do ta merrte pasi të ndodhte vrasja.

Në dosjen e prokurorisë, sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, Kurti nuk e ka zbuluar motivin e vrasjes, pasi sipas tij Zaja nuk ua kishte rrëfyer arsyen e vrasjes së Agim Bucit.

Arsyen nuk na e ka treguar, por vrasja është porositur nga Bert Zaja. Ai është personi që na ka dhënë porosinë, ka qenë me ne edhe në makinë kur ka ndodhur ngjarja dhe na ka pritur edhe tek makina, unë kam hyrë brenda së bashku me Ruzhdiun, gjatë kohës që kemi pritur se ka hyrë Agimi në Super Market, kemi pritur nga avllia e shtëpisë. Unë jam bërë shumë pishman për këtë ngjarje. Kemi dhe dëshmi kontradiktore gjatë gjithë kohës, pasi kam qenë i kërcënuar nga Berti, pasi është person që njihet si problematik”, citohet nga dosja e prokurorisë, të cilën e disponon të plotë gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Kurti, sqaron më tej se armën më të cilën kreu krimin, ia ktheu po Zajës dhe kjo është arsyeja pse ajo nuk u gjend, ndonëse pas vrasjes së Agim Bucit në Kamzë, policia devijoi lumin e Tërkuzit, pasi kishte dyshime se ishte hedhur aty.

“Dua të theksoj edhe diçka që për arsyen se nuk u gjet dot arma në vendin e ngjarjes, pasi armë nuk ka patur aty, sepse gjatë kohës që kemi lënë tek lumi Bertin, ai e ka marrë armën me vete”, thuhet në dosje.

Vladimir Kurti shpjegoi më tej, se nuk tregoi të vërtetën pas arrestimit, pasi kishte frikë për jetën e tij dhe të familjarëve, por tashmë që Albert Zaja është arrestuar, ai vendosi të rrëfehet.

Kam patur frikë të flas deri më tani sepse më kanë kërcënuar”, deklaroi i Kurti, por këtë e konfirmoi edhe Rruzhdi Hoxha.

Këto që thotë Vladimiri janë të gjitha të vërteta, kam një djalë 7 vjeç dhe po të kishte fol që në fillim, pasi ai ka qenë jashtë dhe ishte i aftë të bënte gjithçka dhe nuk doja të vija në rrezik familjen dhe djalin që e kam në shkollë aty afër”, tha Hoxha.

Të dy këta persona hynë në orët e vona të mbrëmjes të maskuar dhe të armatosur në marketin e Agim Bucit dhe hasën në rezistencën e tij dhe të gruas për të marrë xhiron ditore. Në pak minuta, personat e maskuar qëlluan mbi çiftin e bashkëshortëve, duke lënë të vrarë burrin dhe të plagosur rëndë gruan.

Pjesë nga dosja: 

Vladimir Kurti: Prej kohës që ka ndodhur ngjarja kam qen i kërcënuar nga Bert Zaja me vendbanim në Krujë, ç’është e vërteta kjo nuk është një vjedhje, por është një vrasje me pagesë, kundrejt shumës tridhjetë mijë euro, një mirë euro i kam marrë kur ka ndodhur ngjarja dhe gjatë kohës që kam shkuar për t’u dorëzuar në polici.

Relatorja: Jeni konsultuar me dikë për këto që po deklaroni?

Kurti: Kam dërguar letra me zarf, nuk ka qenë një grabitje, por një vrasje e porositur nga Bert Zaja. Bert Zaja është personi që na ka dhënë porosinë, ka qenë me ne edhe në makinë kur ka ndodhur ngjarja dhe na ka pritur edhe tek makina, unë kam hyrë brenda së bashku me Ruzhdiun, gjatë kohës që kemi pritur se ka hyrë Agimi në Super Market, kemi pritur nga avllia e shtëpisë. Unë jam bërë shumë pishman për këtë ngjarje. Kemi dhe dëshmi kontradiktore gjatë gjithë kohës, pasi kam qenë i kërcënuar nga Berti, pasi është person që njihet si problematik.

Relatorja: Ku i keni thënë për herë të parë këto dhe kujt ja keni thënë?

Kurti: Nuk i kam thënë, kam kërkuar që të më vinin të më merrnin në pyetje, por nuk ka ardhur njeri.

Relatorja: Si quhet ky personi?

Kurti: Arbert Zaja, i cili është në burg, pasi akuzohet për një vrasje në Fier.

Relatorja: Çfarë lidhjesh kishit ju me të?

Kurti: Ky na ka paguar për ngjarjen.

Relatorja: E mësuat motivin, çfarë arsye kishte?

Kurti: Arsyen nuk na e ka treguar, por na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës dhe na ka pritur tek makina, i kemi marrë një mijë euro dhe tridhjetë të tjera do na i jepte më mbrapa, por ne nuk u takuam më se na arrestoi policia.

Relatorja: Pse jeni kërcënuar?

Kurti: Në rast se do flas…

Relatoria: Nga është ai?

Kurti: Është nga Kruja me vendbanim në Nikel, kemi shkuar e kemi marrë makinë tek Market Zaja, para se të ndodhte ngjarja.

Relatoria: Pse e morët ju atë, a ju pagoi juve?

Kurti: Sepse kishte armë dhe ai e dinte kush ishte, ne nuk e njihnim fare.

Relatoria: Ky individi erdhi deri në vendin e ngjarjes dhe vetëm nuk hyri brenda.

Kurti: Ai ka qenë gjatë gjithë kohës duke na orientuar ne.

Relatoria: Po pse ju ka paguar ju aq shumë, ndërkohë që ai ka qenë edhe vetë më ju?

Kurti: Vetëm gjatë kohës që është kryer ngjarja ka qenë duke na pritur në makinë. I kam dërguar letër me zarf dhe Gjykatës së Shkallës së parë dhe Gjykatës së Apelit.

Relatoria: Çfarë keni kërkuar në ankim, nuk përputhet me atë çfarë deklaroni në seancë?

Kurti: Kam qenë në gjendje shoku dhe në komisariat, ai ka pasur njerëz dhe, më kanë thënë që nuk ke punë t’ia përmendësh emrin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA