Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi u kapën duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Four”, u bë arrestimi në flagrancë i:
– A. S., 23 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit A. H., 27 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe F. D., 28 vjeç për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ata u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. S., në Kashar, i cili e kishte vënë lokalin në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, i shtetasve:
– K. B., 31 vjeç, pronari i një lokali në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat;
– A. B., 46 vjeç, pronari i një lokali në Rrugën e Xhepëve;
– L. Sh., 62 vjeç, pronari i një lokali në afërsi të Liqenit të Xhepëve.
Ata u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, në lokalet në pronësi të tyre, të cilët i kishin vënë në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel