Ekipi i Top Channel mes të huajve që ikën urgjent nga Ukraina, Muhamed Veliu rrëfen eksperiencën nga vendi në prag lufte

13/02/2022 22:08

Mes shqiptareve të cilëve iu bë thirrje për t’u larguar menjëherë dje nga Ukraina ishte dhe ekipi i Top Channel.

Gazetari Muhamed Veliu dhe kameramani Besfort Kryeziu u larguan nga Kievi mes thirrjeve urgjente nga Perëndimi për të gjithë qytetarët e huaj.

I ftuar në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel, Muhamed Veliu foli për ato që duket se janë orët e fundit në paqe në Ukrainë.

Muhamed, çfarë Ukrainë latë pas?

Jo më kot gjatë raportimeve të mia nga Ukraina, shpesh herë e kam përsëritur që dukej një qetësi para fortunës. Në Kiev për shembull jeta vazhdon normalisht, qytetarët shkojnë në punë, por nga ana tjetër Ukraina nuk është duke ndenjur duarkryq. Po përgatiten ushtarakisht, po stërviten, ka shumë gra, të cilat po i bashkohen ushtrisë së Ukrainës për të mbrojtur vendin e tyre. Një  prej lajmeve kryesore të ditës së djeshme ishte se ishte shtuar numri shitjeve të radiove në Kiev, pasi kuptohet që një sulm i mundshëm rus do të shkatërrojë të gjithë telefoninë celulare. Ka vendosmëri për t”u përballur me një agresion të mundshëm por frika më e madhe është nga sulmet ajrore. Për sa i përket sulmeve frontale me armë, Ukraina është e përgatitur më së miri.

Ka shumë deklarime se kur Rusia mund të sulmojë Ukrainën dhe janë disa skenarë të mundshëm. Le të flasim pak për pozicionimin e trupave ruse në terren. Si janë ato të vendosura sot që flasim?

Kemi parë shumë data, CIA ka dhënë informacione që sulmi mund të jetë i menjëhershëm. Ka raportime se mund të ndodhë të martën, apo të mërkurën. Kjo është shumë e vështirë për ta thënë, askush nuk e di. Kjo është në mendjen e vetë presidentit Vladimir Putin, por nëse ne shikojmë hartën e vendosjes së trupave ushtarake ruse, është një përqëndrim i jashtëzakonshëm, ka forca detare në Detin e Zi në Krime, ka forca të tjera në Bjellorusi  dhe në kufirin e Rusisë me Ukrainën. Janë tre stërvitje aktive, të cilat janë duke u zhvilluar që të bëjnë të mendosh se sulmi do të jetë i shpejt, sikur se thonë dhe analistët e luftrave ushtarake. Por varet nga vendimi që ka marrë ose do të marrë Putin.

Prej vitesh ju raportoni zhvillimet politike por jo vetëm. Si ishte kjo eksperiencë juaja duke raportuar nga një vend në prag lufte?

Gjatë këtyre 8 viteve që kur Rusia pushtoi Krimenë të gjitha lajmet kanë qenë prezente në Top Channel përmes agjencive të ndryshme dhe falë kujdesit të koleges sonë të lajmeve ndërkombëtare, Irida Vasia. Por është tjetër gjë të jesh dhe të shikosh, të dëshmosh për audiencën e Top Channel ato zhvillime që ti shikon, që ndryshojnë nga minuti ne minutë. Një eksperiencë e jashtëzakonshme, e quaj veten me fat që Top Channel më dha mundësinë dhe shefi i lajmeve, Altin Kreka  ma besoi mua vajtjen në Ukrainë, për të sjellë zhvillimet më të fundit. Ka qenë një punë në ekip, pa ndihmën e operatorit, Besford Kryeziu, unë nuk do të mund të  përcillja atë që ndodhte atje. Ka qenë një koordimim i përditshëm i punës me redaktoren e lajmeve, Erina Matraxhiu, me të gjithë djemtë e lidhjeve direkte që mundësuan lidhjen e xhirimeve hap pas hapi atje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA