Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike me një qëllim të caktuar të shmangin luftën e tretë botërore.
Sepse siç tha Joe Biden “kur përfshihen Shtetet e Bashkuara dhe Rusia është një konflikt botëror”. Presidenti amerikan foli pasdite me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të provuar edhe një herë kartën diplomatike.
Putin bisedoi të shtunën edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për një orë e 40 minuta.
Një “dialog i sinqertë nuk është në përputhje me një përshkallëzim” të tensionit, tha presidenti francez gjatë bisedës telefonike, e cila lejoi diskutimet midis dy krerëve të shteteve.
Ndërkohë një shpërthim është dëgjuar gjatë pasdites së të shtunës në Ukrainën lindore. Lajmi qarkulloi edhe në mediat sociale dhe në mediat lokale, të cilat kanë njoftuar se një zhurmë e madhe u dëgjua në territorin e Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut.
Disa dëshmitarë okularë thanë se ndjenë një “valë shoku” nga shpërthimi.
Edhe Italia sot u ka kërkuar italianëve të largohen nga Ukraina, ndërsa linja ajrore kombëtare holandeze, ka anuluar të gjitha fluturimet direkte për në Ukrainë duke filluar nga mbrëmja e kësaj të shtune.
Top Channel