Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se qeveria e tij i kupton rreziqet nga Rusia dhe po punon me partnerët ndërkombëtarë për të zgjidhur konfliktin përmes diplomacisë.
Qeveria ukrainase “është e vetëdijshme për rreziqet e përshkallëzimit të situatës nga ana e Federatës Ruse, po përgatitet për çdo zhvillim dhe është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të zgjidhur konfliktin përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, tha ai, ndërsa foli për mediat në rajonin jugor të Kherson pranë Krimesë, ku ai kishte marrë pjesë në stërvitjet ushtarake.
Zelensky tha se qeveria e tij “i kupton të gjitha rreziqet, pasi ata marrin informacion nga burime të ndryshme, duke përfshirë agjencitë e tyre të inteligjencës dhe inteligjencës të vendeve partnere”.
“Mund të ketë surpriza në çdo kohë”, vazhdoi ai. “Ne duhet të mbështetemi në forcat tona. Ne e kuptojmë se gjëra të tilla mund të ndodhin pa paralajmërim. Prandaj, gjëja më e rëndësishme është që ne të jemi gati për gjithçka.”
Ai shtoi se negociatat janë duke u zhvilluar në nivel ndërkombëtar për të parandaluar përshkallëzimin.
“Ne punojmë veçmas në nivel diplomatik, komunikojmë çdo ditë me lidershipin e vendeve të ndryshme, liderë të niveleve të ndryshme, sepse besojmë se rruga diplomatike është e vetmja rrugë për de-përshkallëzimin dhe de-okupimin”, tha Zelensky.
Top Channel