Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk e fshehu shqetësimin nga situata e krijuar në kufi me Ukrainën.
Gjatë një vizite në një bazë ajrore ushtarake në Rumani, ku ndodhen rreth 1,000 trupave ai u takua me presidentin rumun Klaus Iohannis dhe zyrtarë të tjerë të lartë, të cilëve u tha se “ ka vërtet rrezik për një konflikt të armatosur në Europë”. “Ne nuk kemi siguri lidhur me atë që do të ndodhë. Prandaj i bëjmë thirrje Rusisë që ta shtensionojë situatën.
Jemi vigjilentë dhe të përgatitur dhe kjo është arsyeja që prezenca e trupave të NATO-s në Rumani është kaq e rëndësishme”, u shpreh Stoltenberg.
Vizita e tij në Rumani përkoi me mbërritjen e autokolonave të ushtrisë amerikane, me trupa e pajisje në këtë bazë rumune. Shtetet e Bashkuara po rivendosin 1,000 trupa nga Gjermani në Rumani, pasi zyrtarët amerikanë kanë frikë se Rusia shumë shpejt do ta pushtojë Ukrainën.
Trupa të NATO-s po ashtu janë dislokuar në Poloni. Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe ka kryer një sërë manovrash ushtarake në rajon. Por, Moska vazhdon të thotë se nuk ka plane që ta pushtojë vendin fqinj.
Top Channel