Edhe në Durrës, është pritur me kundërshtime prezantimi i hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ e cila largon qytetarin nga aksesi në drejtësi dhe sjell kosto të larta për të gjitha palët e përfshira në proceset gjyqësore.
Lorval Petani, kryetar i DHA Durrës: ”…Faktet reale me ato që ju diskutoni janë të kundërta…
Ka fluks gjykimesh, po vonesa që vijnë si pasojë e mungesës së gjyqtarëve. Qytetarëve i largohet shumë përfaqësimi në gjykata.”
Lidhur me debatin mbi aksesin e qytetarit në gjykata, larg vendbanimit, në emër të KLGJ-së, zv.kryetari i saj Maksim Qoku argumentoi:
Maksim Qoku, zv.kryetar i KLGJ: ”Duke u bashkuar gjykata që janë afër njëri tjetrin e nuk e cenojnë aksesin që kundërshtohet fort, po një qytetari nuk i duhet një gjykatë që e ka afër, po nuk ofron gjykim cilësore.”
Dhoma e Avokatisë Durrës kërkoi që të rishikohet harta dhe të mos shkrihet gjykata administrative dhe ajo e apelit në Durrës, për shkak të fuqisë ekonomiko-sociale dhe problematikave që ka ky rajon, ndërkohë që ngarkesa e lartë dhe vonesat në gjykim krijohen nga mungesa e gjyqtarëve.
Në takim u deklarua se sistemi gjyqësor është në gjendje mjaft të rënduar, me problematika të shumta dhe se harta e re gjyqësore nuk i zgjidh këto problematika dhe ato të krijuara nga vetingu. Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative në Tiranë dhe Fier, si dhe 1 gjykatë apeli në Tiranë.
Top Channel