Me interes të madh e kanë pritur mediat greke lajmin e vetëdorëzimit të 20-vjeçarit shqiptar Roxhers Demirazi për të cilin u dha urdhër ndërkombëtar arresti, pjesë e grupit të huliganëve që kanë sulmuar dhe kanë vrarë mbrëmjen e një shkurtit 19 vjeçarin grek Alkis Kampanos në një lagje të Selanikut.
Në një intervistë për një kanal grek Demirazi pohon se është larguar nga Greqia pasi pati frikë për jetën. “Për rolin tim në ngjarje ,do t’ia them të gjitha prokurorit, do të dorëzohem në Greqi për të përballuar këtë çështje” ka deklaruar ai duke përcjellë edhe ngushëllimet e tij për familjen e viktimës dhe duke thënë se është penduar për atë që ka ndodhur.
Ndërkohë që priten procedurat për ekstradimin e tij, në Selanik vazhdojnë të dëshmojnë dhe të shkojnë deponimet tek Prokurori të të akuzuarve të tjerë për vrasjen e të riut grek, por edhe dëshmitë e shokëve të viktimës. Për çështjen në fjalë janë identifikuar dhe mbahen në policinë e qytetit gjithsej 11 persona, mes të cilëve tetë grekë dhe tre shqiptarë, të moshës 20 deri në 25 vjeç. Tek tre prej tyre është dhënë edhe masa e paraburgimit dhe po ashtu pritet edhe për të tjerët.
Ndërsa përshkruajnë se si ndodhi vrasja në rreth 80 sekondat që zgjati sulmi, por edhe para se të vendosnin se ke dhe ku do të sulmonin, ata fajësojnë njëri-tjetrin. Tashmë 21-vjeçari grek që thuhet se mbante armën e vrasjes, një thikë në formë drapri, deklaron se nuk e ka përdorur dhe i ka rënë nga dora.
Për këtë arsye prokurori ka dhënë urdhër për test ADN për të gjithë të akuzuarit, për të vërtetuar shkallën e përfshirjes së të tyre në krim. Në laboratorët e mjekësisë ligjore vazhdojnë testet laboratorike për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe materialit gjenetik në mjetet vdekjeprurëse.
Procesi pritet të përfundojë përkohësisht të premten kur nga dera e hetuesisë do të kalojnë edhe katër të arrestuarit e fundit, ndërsa cikli do të mbyllet me ekstradimin e 20 vjeçarit Demirazi nga Korça drejt Selanikut dhe deponimin e tij që do të jetë i fundit në këtë ngjarje që mbetet ende në vëmendjen kryesore të opinionit publik në Greqi.
Top Channel