Top Story/ Kongresi historik i drejtshkrimit të shqipes që njëhsoi gjuhën e tre shteteve

09/02/2022 22:44

Rilindasit tanë u mblodhën në vitin 1908 dhe i dhanë gjuhës shqipe një alfabet.

Mbi bazën e tij filluan të shtypeshin libra e gazeta të kohës. Alfabeti bëri që gjuha shqipe ti shpëtoi asimilimit me një gjuhë tjetër.

“Një popull i robëruar që ka ruajtur gjuhën e vet ka ruajtur të drejtën që të dalë nga robëria” u shpreh Emil Lafe, gjuhëtar

Puna e palodhur e profesorëve si Eqerem Çabej e Mahir Domi, u kurorëzua në vitin 1972. Në këtë vit u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe. Deri në këtë vit, dokumentat zyrtare, librat shkollor, gazetat e revistat, shkruheshin në dialekte të ndryshme. Por drejtshkrimi i 72-shit, i njësuar sanksionoi trajtat normative dhe e ngriti gjuhën shqipe në nivelin e gjuhëve të tjera të zhvilluara letrare. U krijua kështu shqipja standarde, ose siç njihet ndryshe gjuha letrare.

“Tashmë u bënë disa shekuj që gjuha shqipe shkruhet, studiohet, është e ngulitur në vepra shkencore, në fjalorë, studime gjuhësore etj. Është një njësi kulturore më vete e stabilizuar” u shpreh Xhevat Lloshi, gjuhëtar

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 14 shprehet se gjuha zyrtare e republikës së Shqipërisë është gjuha Shqipe. Me këtë nënkuptojmë gjuhën letrare. Pra shqipja standarde është gjuha e administratës shtetërore, e shkollave, e universiteteve, e medias, e ligjeve dhe dokumenteve zyrtare. Ajo qëndron mbi çdo dialekt të çdo krahine brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Gjuha jonë zyrtare është gjuhë zyrtare e tre shteteve, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Ne nuk merremi dot vesh në dialekte. Duhet gjuha zyrtare” u shpreh Rami Memushaj, gjuhëtar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA