Përhapja e teorive të konspiracionit dhe informacioneve të rreme ose mashtruese, në internet dhe në platformat e mediave sociale, po i mban Shtetet e Bashkuara në një gjendje më të lartë gatishmërie, kur bëhet fjalë për sulme të mundshme terroriste.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare publikoi një buletin të përditësuar të Sistemit Këshillimor Kombëtar për Terrorizmin të hënën, duke paralajmëruar se ndërsa shumë nga rrymat kryesore të kërcënimeve kanë ndryshuar pak gjatë vitit të kaluar, pothuajse të gjitha ato janë duke u përforcuar nga mjedisi i informacionit.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se përhapja e informacioneve të rreme që synojnë minimin e besimit në institucionet publike, e kombinuar me thirrjet në rritje për dhunë si nga aktorët vendas ashtu edhe nga organizatat e huaja terroriste e ka bërë “më të paqëndrueshëm, më të paparashikueshëm dhe më të ndërlikuar mjedisin e kërcënimeve”.
Në mënyrë të veçantë, buletini i përditësuar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare citon “përhapjen e gjerë në internet të lajmeve të rreme në lidhje me manipulimet e pabazuara të zgjedhjeve dhe COVID-19”, për të cilin thotë se po përforcohet nga “fuqitë e huaja keqdashëse”. Buletini gjithashtu paralajmëron edhe për thirrjet e vazhdueshme për dhunë kundër objektivave të buta, vendeve publike dhe tubimeve që shpesh kanë masa të kufizuara sigurie, duke përfshirë objektet fetare si kishat, xhamitë dhe sinagogat.
“Sulmi i fundit në një sinagogë në Kollivill të Teksasit nxjerr në pah kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës me motive racore ose fetare, si dhe kërcënimet kundër organizatave fetare”, thuhet më tej në buletinin mbi kërcënimet ndaj vendit, të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Kërcënimet e fundit kundër kolegjeve dhe universiteteve afrikano-amerikane gjithashtu kanë “shkaktuar shqetësim dhe mund të frymëzojnë aktorët ekstremistë të mobilizohen për dhunë”, thuhet në buletin.
Zyrtarët amerikanë të sigurisë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për grupet vendase që promovojnë dhunën në prag të zgjedhjeve për Kongresin, të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti, dhe mundësinë që terroristët e huaj, veçanërisht ata që mbështesin Shtetin Islamik, të ndërmarrin sulme në shenjë hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit të Shtetit Islamik, Amir Muhamed Sa’id Abdal-Rahman al-Mawla javën e kaluar.
“Departamenti i Sigurisë mbetet i përkushtuar në përpjekjen për ndarjen në mënyrë active të informacionit dhe inteligjencës në kohë në lidhje me kërcënimet me publikun amerikan”, tha përmes një deklarate të hënën Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas. Ne gjithashtu mbetemi të përkushtuar për të punuar me partnerët tanë në çdo nivel të qeverisjes dhe me sektorin privat për të parandaluar të gjitha format e terrorizmit dhe dhunës, dhe për të mbështetur përpjekjet e forcave të zbatimit të ligjit për të mbajtur komunitetet tona të sigurta”, shtoi ai.
Në fillim të këtij viti, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se po krijonte një njësi të re për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të terrorizmit vendas, duke vënë në dukje numrin në rritje të këtyre rasteve. Sipas FBI-së, ekstremistët e dhunshëm vendas kryen katër sulme në vitin 2021, që shkaktuan vdekjen e 13 personave.
Një raport i inteligjencës amerikane i publikuar marsin e kaluar paralajmëroi gjithashtu për një kërcënim të gjerë nga ekstremistët vendas, duke e përqendruar shqetësimin e tij tek individët dhe qelizat e vogla, që mbështesin lloje të ndryshme të ideologjive të dhunshme, por që “janë bashkuar nga ngjarjet e fundit politike dhe shoqërore”.
Top Channel