Importet kapin vlera rekord/ U blenë më shumë karburant, automjete, cigare dhe pije alkoolike

29/01/2022 15:01

Importi i mallrave të akcizës është rritur ndjeshëm duke mos u frenuar nga shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, çka ka sjellë edhe të ardhura rekord për doganat që mblodhën një vit më parë mbi 193 miliardë lekë, gati 1.6 miliardë euro. 

Rritjen më të madhe e ka shënuar importi i karburanteve që ka arritur në nivele rekord në mbi 611 mijë ton sasi e importuar vitin që lamë pas, duke tejkaluar jo vetëm vitin pandemik 2020 ku për 3 muaj vendi ishte në karantinë por edhe nivelet e parakrizës. Në 2019, sasi e karburanteve të importuara arrinte në mbi 520 mijë ton.

Zgjerimi i importeve të karburanteve që kanë parë një rritje të vazhdueshme të çmimit në pikat e tregtimit me pakicë ka dhënë një efekt të konsiderueshme në rritjen e të ardhurave doganore nga ky zë në 2021 në mbi 43.9 miliardë lekë apo rreth 364 milionë euro, rreth  64 milionë euro më shumë se në vitin 2020.

Importi i cigareve dhe i birrës ka shënuar një rritje të moderuar sipas të dhënave nga Doganat. Një vit më parë, vendi importoi 2.9 ton cigare gati e njëjta sasi sa në vitin 2019 duke sjellë një nivel të ardhurash dogonore nga ky zë në 25.2 miliardë lekë, teksa nga importi i birrës që arriti në rreth 49.8 mijë litra, u grumbulluan mbi 2.8 miliardë euro të ardhura.

Zgjerim ka parë edhe importi i automjeteve të përdorura vitin e kaluar me mbi 55.7 mijë mjete të këtij lloji të hyra në vend, mbi 9 mijë mjete më shumë se në vitin 2020. Prej tyre, administrate doganore ka arkëtuar mbi 7.5 miliardë lekë, apo rreth 16.5 milionë euro më shumë se viti paraardhës.

Ndërsa prej importit të energjisë elektrike që sipas të dhënave zyrtare nga doganat ishte thuajse në të njëjtat nivele me vitin 2020 në gati 2.3 milionë megavat/orë janë gjeneruar nga taksat doganore rreth 64 milionë euro në total në vitin 2021.

Me hyrjen në fuqi të paketës së re fiskale administrata doganore pritet të mbledhë më shumë të ardhurave veçanërisht nga mallrat e akcizës pasi ndryshimi parashikon indeksimin e akcizës në vlerë fikse me nivelin e inflacionit, pra sa rritet inflacioni aq do të rriten edhe akcizat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA