Kryeministri hungarez Viktor Orban, tha më 28 janar se Budapesti do që të rrisë importet me gazin rus. Këtë kërkesë ai tha se do ta bëjë gjatë bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme.
“Do të doja ta rrisja sasinë e gazit që vjen në Hugari nga nivelet që jemi pajtuar në kontratën për gaz mes Rusisë dhe Hungarisë”, tha Orban, i cili ka raporte miqësore me Putinin.
Në shtator të vitit të kaluar, Hungaria nënshkroi një marrëveshje të re për furnizim me gaz natyror. Në marrëveshjen me Gazpromin, kompaninë shtetërore ruse, Hungaria do të marrë 4.5 miliardë metër kubikë gaz çdo vit, përmes tubacioneve që anashkalojnë transportin e gazit përmes Ukrainës. Marrëveshja ka kohëzgjatje prej 15 vjetësh.
Zyrtarët ukrainas e kanë kritikuar marrëveshje dhe Ministria e Jashtme ukrainase e ka quajtur këtë si “vendim krejtësisht politik, ekonomikisht të paarsyeshëm dhe në favor të Kremlinit si dhe në dëm të interesave kombëtare të Ukrainës dhe raporteve midis Ukrainës dhe Hungarisë”.
I pyetur për tensionet aktuale ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, që janë nxitur pas dislokimit të mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas, Orban i tha radios shtetërore se Hungaria “është e interesuar për paqe”.
Ai shtoi se do të punojë që të forcojë bashkëpunimin me Rusinë në industrinë e ushqimit, turizmit dhe në hulumtimet hapësinore.
Pas përkeqësimit të situatës ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, Hungaria do të mbajë zgjedhje më 3 prill, që priten të jenë një test i fortë për Orbanin dhe partinë e tij të krahut të djathtë, Fidesz.
Orban është në pushtet që prej vitit 2010.
Top Channel