Detajet/ Si u zbulua grupi i vrasësve me pagesë, morën 20 mijë euro për të ekzekutuar të riun në Lezhë

27/01/2022 15:21

Sulmi me armë ndaj forcave të policisë më datë 14 janar të këtij viti në Qafë Kashar ka çuar në zbulimin e grupit të vrasësve me pagesë. Policia arrestoi pesë persona, dy në hetim, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, thanë se Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi, 2 personat e arrestuar janë paguar 20 mijë euro nga Robert Laci, edhe ky i arrestuar, për të vrarë punonjësin e hidrovorit të Lezhës, Alfred Gjoka. Nga sulmi me armë aso kohe, Gjoka nuk mbeti i lënduar, vetëm kamionçina në të cilin po udhëtonte pësoi dëme të vogla materiale. Motivet e kësaj ngjarjeje, ndonëse kanë kaluar më shumë se 5 muaj, nuk dihen ende.

Ky atentat i dështuar, u zbulua pas hetimeve të kryera lidhur me sulmin ndaj policisë, ku shtetasi Ibrahim Difaj, i cili së bashku në makinë me Shpëtim Kraja (në kërkim) dhe Elona Vocaj qëlluan me armë ndaj një patrulle shërbimi të policisë rrugore. Nga sa mësohet, këtij grupi në Qafë Kashar, policia i ka bërë shenjë që të ndalojë makinën, por shoferi nuk ka ndaluar dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës.

Në tentativë për t’u larguar, makina është përplasur me një bordurë dhe Ibrahim Difaj dhe Shpëtim Kraja kanë dalë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të policëve, të cilët më pas duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.

Referuar dosjes hetimore, ngjarja është shënuar rreth orës 01:50, në aksin rrugor Fushë-Mëzez, në rrugën dytësore, afër shinave të trenit, ku kufizohet me fshatin Domje, ku patrulla e shërbimit, konstatoi se përball tyre po vinte një mjet tip Mercedes Benz, ndërsa drejtuesi i mjetit në dukje ishte me kapele dhe kapuç. Mësohet se nisur nga ky dyshim, punonjësit e policisë i kanë dhënë shenjë me drita dhe me sinjale që të ndalonte, mjeti jo vetëm që nuk i është bindur urdhërit të policisë, por ka shtuar shpejtësinë duke u futur në rrugë të fshatit Domje.

Shërbimi i patrullës është kthyer dhe i është vënë në ndjekje këtij automjeti. Ndjekja ka vazhduar deri në fshatin Arrameras të Fushë-Krujës, ndërsa punonjësit e policisë kanë arritur t’i marrin targën dhe e kanë dërguar për verifikim sallës operative, gjatë kësaj kohe, salla ka kthyer përgjigje që targa rezulton e vjedhur më datë 09.01.2022. Policia ka vazhduar ndjekjen e mjetit. Në fshatin Arrameras në një rrugë dytësore mbrapa Xhamis, ky mjet ka ndaluar dhe kanë dalë tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të cilët janë larguar me vrap nga makina. Në këtë moment, dy dy punonjësit e patrullës kanë dalë nga mjeti tyre dhe janë pozicionuar njëri në pjesën e parë të mjetit dhe tjetri në pjesën e pasme te mjetit të autorëve. Ndërkaq, në momentin që autorët e larguar ishin në një distancë rreth 40 m kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë, ku janë kostatuar dhe zhurma dhe shkëndija të armës, në dukje armë zjarri automatike. Në këtë moment punonjësit janë pozicionuar njëri në një pjesë të murit dhe tjetri është shtrirë në tokë dhe kanë qëlluar në ajër të dy me nga një të shtënë armë. Personat me të dëgjuar armën janë larguar në errësirë dhe punonjësit e policisë kanë qëndruar aty deri në arritjen e forcave të tjera. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se automjeti tip Mercedez Benz me targa AB 340 BP, është gjetur me tre dyer të hapura me çelës në kuadër, me gomën e parë të krahut të djathtë të shpuar dhe i mungonte pjesa e parakolpit së bashku me targën. Në dy dyert e pasme ka nga një vrime tejshpuse hyrëse dalse. Mjeti në pjesën e pasme ka një targë AB 340 BP, të cilat rezultojnë të vjedhura në Fushë-Krujë.  Në afërsi të mjetit në distancën 3 metra nga pjesa e përparme dhe 1 metër nga pjesa e pasme e mjetit të autorëve, u gjetën dy gëzhoja me kapsollë të plasur të kalbrit 7.62 dhe 9 mm. Në distancën 33,4 metra nga mjeti i autorëve janë gjetur dy gëzhoja 7.62 mm. Nga verifikimet e bëra për automjetin tip Mercedez Benz, rezulton i vjedhur me datë 11 janar të këtij viti në qytetin e Vorës”, sqarohet në dosjen hetimore.

Nga hetimet e bëra, ka rezultuar se Difaj dhe Kraja janë autorë edhe të 2 vjedhjeve të 2 makinave, një Mercedes-Benz në Vorë dhe një Volkswagen Touran në Kurbin. Në po të njëjtën ditë që kishin vjedhur Volkswagen Touran, ato kanë grabitur edhe një shtetas gjerman. Sapo ky i fundit ka zbritur nga autobusi në autostradë, tek nënkalimi i Patokut i kanë vjedhur portofolin dhe një telefon celular.

I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, shtetasi Ilirian Feçi, ka sqaruar se me shtetasin Ibrahim Difaj, njihet prej disa vitesh, koha e saktë nuk i kujtohet dhe se është njohur nëpërmjet lidhjeve miqësore të përbashkëta. Sipas tij, hera e fundit që është takuar me shtetasin Ibrahim Difaj, mesa i kujtohet ka qenë rreth datës 14-15 Dhjetor, pasi më datë 13.12.2021 ishtë kthyer nga Franca.

Takimi ka qenë në mënyrë rastësore në fshatin Arrameras përkarshi bar restorant “Brazili”, dhe ndodhej në servisin e shtetasit Bledar Cela, tē cilin sipas tij e ka vëlla të besimit “Islam”. Ai thotë se shtetasin Erion Mulaj është djali i tezes së tij i cili banon në qytetin e Durrësit dhe punon si personel sigurie në një lokal në zonën e plazhit. Kurse për shtetasen Elona Vocaj, tregon se njihet prej shtetasit Ibrahim Difaj dhe se është takuar me këtë shtetase vetëm kur ajo ka qenë nën shoqërinë e Ibrahimit dhe se mendonte se bashkëjetojnë, pasi edhe kur ka qenë në Francë, Ibrahimi e ka marrë nëpërmjet telefonit të saj.

Me sa i kujtohet, tregon ai, ditën që është takuar me Ibrahimin me të ka qenë edhe shtetasja Elona Vocaj.  Atë ditë Ibrahimi kishte një automjet Golf-5, me ngjyrë të zezë targat nuk ja ka parë. Ky shtetas sqaron se Ibrahimi i ka ra me një numër telefoni të regjistruar, por prej kohësh e ka të fikur dhe se me të ka komunikuar vetëm nëpërmjet numrit të shtetases Elona Voci, numër të cilin e ka të regjistruar me emrin Lo Lo +355692515079.

Në dosjen hetimore, sqarohet se në lidhje me faktin se ku ky shtetas ka qenë me datë 13.01.2022 dhe 14.01.2022, ka shpjeguar se nuk është i sigurt për veprimet në mënyrë korrekte, pasi kanë kaluar dy javë nga data që po pyetet dhe se mund të ketë qenë edhe në Tiranë për të përcjellë shtetasin Alban Skonja, i cili do udhëtonte në Francë me autobus në rrugë tokësore.

Rreth datës 10 ose 11 të muajit janar 2022, rreth orës 20:00 ose 20:30, jamë nisur nga Laçi me automjetin Benz C Klas, ngjyrë blu e errët me targa shạiptare, të cilat nuk ja mbaj mend, por sa më kujtohet shoku im Shpetim Kraja, ja kishte marrë me qira një shokut nga Shkodra. Kemi shkuar në një lokal me muzikë në Gjormë, dhe më pas, së bashku me shokun tim Shpëtim Kraja, jemi nisur në drejtim të qytetit Vorë. Mjetin po e drejtoja unë që kur jemi nisur nga Laçi dhe deri kur jemi kthyer përsëri në Laç. Aty në Vorë kemi mbërritur rreth orës 22:00-23:00, tek një Minimarket, para tij kemi vënë re një automjet tip Mercedez Benz me porto bagazh në ngjyrë gri, targat nuk më kujtohen, i cili ishte në gjendje të ndezur, ndërsa shoferi i mjetit nuk ndodhej në makinë. Në këtë moment unë kam qëndruar në automjetin me të cilin kishim ardhur nga Laçi, ndërsa shoku im Shpetim Kraja, pasi ka zbritur nga mjeti jonë ka shkuar dhe ka marrë automjetin tip Mercedez Benz me porto bagazh ngjyrë gri, dhe më pas jemi nisur në drejtim të Mamurrasit. Unë me automjetin Benz C Klas, ngjyrë blu e errët me të cilin kishim ardhur nga Laçi, ndërsa Shpëtim Kraja, pasi mori mjetin, jemi nisur në drejtim të Mamurrasit, duke përshkruar autostradën. Pas rreth tre ditësh automjetit i kemi ndërruar targat, duke i vendosur targa të tjera, këto targa ja kemi vjedhur një automjeti tjetër tip Ford në Fushë-Krujë. Tre ditë pasi vodhëm automjetin në Vorë, jemi nisur nga Mamurrasi në drejtim të Tiranës. Unë kam qenë duke drejtuar automjetin të cilin e kishim vjedhur 3-4 ditë më parë në Vorë, ndërsa Shpëtim Kraja ishte në vendin e parë të pasagjerit të këtij automjeti”, tregon Ibrahim Difaj.

Më tej, Difa është ndalur edhe në momentin e përballjes me patrullën e shërbimit, duke treguar se në kohën kur janë futur në territorin e Tiranës në rrugën dytësore, gjatë rrugës, ata janë shkëmbyer me një patrullë policie të Tiranës. Ai tregon se efektivët e rrugores kishin dyshuar tek ata, duke vendosur t’i ndjekin nga pas,, deri në fshatin Arrameras të Krujës.

Ata kanë qëndruar pas nesh, duke na ndjekur gjatë gjithë rrugës dhe duke na bërë me shenjë për t’u ndalur. Në këtë moment, gjatë ikjes e sipër, jemi përplasur me një avlli, mur rrethues, ku në këtë moment Shpëtimi ka dalë më para nga mjeti, ndërsa unë më pas, duke u larguar rreth 30 metra nga mjeti dhe vendi i ngjarjes. Ndërsa, autopatrulla e policisë ka ndaluar menjëherë pas nesh në këtë moment unë jam fshehur në errësirë, ndërsa Shpëtimi ka qëlluar me automatik që kishim në automjet dhe që ai e kishte marrë me vete. Në momentin që jam larguar kam dëgjuar të shtëna armësh, pasi edhe punonjësit e policisë kanë qëlluar me armë. Ndërsa më vonë, pasi kaluam lumin, Shpëtimi më tha se ka qëlluar me armë lart me qëllim për të trembur policët që të largoheshin. Pas këtij momenti unë kam shkuar tek një mik që quhet Bektash Koçi, i cili banon në Kameras të Fushë-Krujës. Atij i kërkova që të më çonte në shtëpi në Mamurras, ndërsa Shpëtimi pranoi dhe më dërgoi në shtëpi. Unë s’i tregova fare Bektashit se çfarë na kishte ndodhur”, citohet nga dosja hetimore.

Kurse Elona Vocaj ka rrëfyer se shtetasin Ibrahim Difaj e ka njohur para një viti e gjysmë dhe për të cilin është shprehur se i është gjendur pranë sa herë ajo ka pasur nevojë. Ajo tregon se gjatë kohës që jetonte në Shqipëri, Ibrahimi jetonte tek motra e tij në Gjorm të Kurbinit, por që pjesën më të madhe të kohës ai qëndronte në Greqi, ku dhe punon në lokale të ndryshme si kamarier.

“Aktualisht ka numrin 0692515079 dhe këtë numër e ka më shumë se 10 vite që e përdor. Me datë 14 Janar 2022 me sa më kujtohet ka qenë ditëlindja e shokut të Ibrahim Difaj, rreth orë 16:30 të datës 14.01.2022, kam pirë një kafe me Ibrahimin te kafe Piazza në Laç. Dhe gjatë kësaj kohe Ibrahimi ka marrë telefonin tim dhe ka komunikuar me shokun e tij Shpëtim Krajën, të cilin e dëgjoja për herë të parë si emër. Këtu lbrahimi më ka thënë që shoku i tij na ka ftuar për darkë, pasi kishte ditëlindjen. Se çfarë ka komunikuar Ibrahimi me shokun e tij, Shpëtimin nuk e kam ndjekur. Ibrahimi përdorte telefonin tim pasi telefonin e tij e kisha dëmtuar duke e larë në lavatriçe. Rreth orës 21:00 ka ardhur Ibrahimi para pallatit ku banoj dhe më pas jemi nisur me makinën e një shoku apo të një kushëriri të Ibrahimit tek lokali me muzikë që ndodhej në Lezhë, me sa kam dijeni Ibrahimi i ka kushërinj ata të lokalit me muzikë ku shkuam ne atë natë. Unë mbaj mend që makina që erdhi me na marrë ishte ngjyrë gri e markës Ford, targat e së cilës nuk i mbaj mend. Si shoferi ishte një shok i Ibrahimit që kishte ditëlindjen. Rreth orës 21:30 kemi shkuar tek lokali me muzikë në Lezhë, unë, Ibrahimi dhe shoku i tij që ishte në timon, persona të tjerë nuk ishin në automjet, në lokal kemi konsumuar shumë pije alkoolike, aty kemi qëndruar rreth 2 orë. Pasi kemi dalë nga lokali më ka dërguar në shtëpi Ibrahimi dhe shoku tij me automjetin tip Ford ngjyrë Gri, siç kishim shkuar në lokal të tre së bashku, dhe më pas janë larguar. Me sa di unë dhe ata janë larguar për në shtëpitë e tyre. Ibrahimi më ka thënë se gjatë kohës që po ktheheshim në shtëpi, ne kishim pësuar një aksident, por unë kam qenë shumë e dehur dhe nuk mbaj mend asgjë. Ndërsa për datën 13 Janar 2022, mbaj mend që kam qenë në punë 08:00 deri vonë, por reth orës 10:00, jam shkëputur nga puna duke marrë leje, pasi i kam bërë vaksinën e vajzës së vogël Amelja, e cila është 15 muajsh”, tregon Vocaj.

Të arrestuar

Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin (vrasës me pagesë)

Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike  (vrasës me pagesë)

Robert Laci, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë (Porositësi i vrasjes, pagoi 20 mijë euro)

Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamuras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje

Erion Mulaj, 30 vjeç, banues në Durrës.

Në hetim

Janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit: M. M., 67 vjeç, banues në Durrës dhe E. V., 30 vjeçe, banues në Kurbin.

Në kërkim

Shpetim Kraja, 35 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. (Qëlloi me Ibrahim Difajn policinë në Qafë Kashar)

Veprat penale për të cilat akuzohen

-Ibrahim Difaj, Damjant Lleshaj dhe Shpëtim Kraja, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Vjedhja”;

-Erion Mulaj, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”;

-E. V., për veprën penale “Moskallëzim krimi”;

-M. M. për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

-Ibrahim  Difaj, Ilirian  Feçi dhe Robert Laci, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje”, si dhe në ngarkim të shtetasit Ibrahim Difaj dhe shtetasit të shpallur në kërkim Shpëtim Kraja, për veprat penale ”Vjedhja” e kryer në bashkepunim, më shumë se një herë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA