Prokuroria ka kërkuar 20 vjet burg për Sokol Sanxhaktarin dhe Adriano Hajdarin të akuzuar për vrasjen e Florian Lamçes më datë 20 korrik të vitit 2020 në Elbasan. Ata akuzohen për “vrasje me dashje në bashkëpunim”.
Për dy të akuzuarit, kërkohet të vuhet dënimi i plotë dhe, të mos përfitojnë lirim me kusht.
Në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria kërkon dënim edhe për dy persona të tjerë.
Amadeus Lamçja, i akuzuar për “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklarim i rremë përpara oficerit të Policisë Gjyqësore” u kërkua 6 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për Mehmet Muçën, i akuzuar për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” u kërkua 6 vjet burgim.
Në tërësi për këta persona janë kërkuar 52 vjet dhe 6 muaj burgim në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Personat e mësipërm ndodheshin në një nga lokalet e qytetit të Elbasanit kur ka ndodhur ngjarja. Ata kishin konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 4 të mëngjesit aty ka nisur një sherr me sende të forta.
Nga përplasja humbi jetën Florian Lamçe. Ai ka qenë i dënuar në të kaluarën me 3 vite burg për moskallëzim krimi për vrasjen e Almir Canit në 2012-ën në Elbasan.
Për vrasjen po vuan dënimin me 22 vite burg vëllai i tij, Olsi Lamçe.
Top Channel