BE synon të lehtësojë masat COVID-19 të udhëtimit

25/01/2022 20:54

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar të thjeshtojnë masate udhëtimit për koronavirusin e ri (COVID-19), duke lejuar qasjen me certifikata të vaksinimit, teste negative ose dëshmi se jeni shëruar nga virusi pa kërkesa shtesë për karantinë ose testim.

“Rekomandimi i shqyrtuar do të marrë në konsideratë situatën individuale të personave dhe jo situatën epidemiologjike të vendit të tyre”, u tha gazetarëve Clement Beaune, sekretar i shtetit për çështjet e BE-së në Francë.

Beaune foli në një konferencë për media pas një takimi të ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, të cilët miratuan masat jo të obligueshme të udhëtimit.

Deri më tani vendet e BE-së kishin mundësi të vendosin masa shtesë nëse dikush udhëtonte nga një vend me potencial të lartë infeksioni në bazë të hartës së virusit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas rregullave të rishqyrtuara që do të vlejnë nga 1 shkurti, udhëtarët që mbajnë certifikatë digjitale të BE-së për virusin COVID-19 nuk do të përballen me masa kufizuese shtesë, si karantina ose testimi kur të hyjnë në një vend tjetër të BE-së.

Certifikata digjitale e BE-së dëshmon nëse një person është vaksinuar, testuar negativ ose është shëruar nga koronavirusi

Në një ndryshim të rëndësishëm për ata që nuk posedojnë certifikatën COVID-19, vendet anëtare po ashtu duhet të pranojnë teste negative jo më të vjetra se 24 orë para hyrjes në një vend tjetër të BE-së.

Rregullat e reja nuk janë ligjërisht të detyrueshme për vendet e BE-së, pasi qeveritë gjithmonë mund të paraqesin masa më të rrepta për të ndaluar një krizë eventuale shëndetësore, por ato rekomandohen të koordinohen me Komisionin Evropian dhe qeveritë e tjera./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA