Protesta të reja kanë shpërthyer në Sudan për të kërkuar sundim të plotë civil, mes bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) për të rivendosur tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Qindra protestues marshuan drejt pallatit presidencial në kryeqytetin Khartoum, mes thirrjeve kundër ushtrisë. Ata kundërshtuan ndërmjetësimin e OKB-së për të zgjidhur krizën politike të vendit, duke e përshkruar këtë si përpjekje për të shpëtuar ushtrinë.
“Sudanezët vetë mund t’i zgjidhin problemet e tyre. Kjo nismë e të dërguarit të OKB-së synon të shpëtojë gjeneralët e ushtrisë dhe t’u mundësojë qtyre të marrin imunitet nga drejtësia për vrasjet e vazhdueshme të protestuesve”, tha Abdul Rahim për AA, një protestues në Khartoum.
Javën e kaluar, shtatë protestues u vranë në protestat anti-ushtarake në Sudanin e goditur nga kriza.
Në fillim të këtij muaji, misioni i OKB-së në Sudan nisi bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja midis grupeve ushtarake dhe politikë në një përpjekje për të rivendosur tranzicionin e vendit.
“Ne nuk do të ulemi me ushtrinë nën iniciativën e OKB-së apo ndonjë forumi tjetër. Ushtria menjëherë duhet t’ua dorëzojë pushtetin civilëve”, tha Mona Hussein, një protestuese tjetër në Khartoum.
Sudani ka qenë i trazuar që nga 25 tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok, si dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Para marrjes së pushtetit nga ushtria, Sudani drejtohej nga një këshill sovran zyrtarësh ushtarak dhe civilë të ngarkuar me mbikëqyrjen e periudhës së tranzicionit deri në zgjedhjet në vitin 2023.
Hamdok u rivendos më 21 nëntor pas një marrëveshje të arritur, por protestuesit denoncuan marrëveshjen duke këmbëngulur në heqjen e çdo ndikimi ushtarak mbi koalicionin qeverisës kalimtar. Ai dha dorëheqje më 2 janar duke përmendur një “bllokim politik”.
Top Channel