Talibanët thonë se kanë të drejtë të shtypin disidencën

23/01/2022 03:46

Talibanët kanë thënë se kanë të drejtë të shtypin disidencën dhe të burgosin protestues, teksa shqetësimet ndërkombëtare janë rritur lidhur me vendndodhjen e dy aktivisteve që u raportuan se u ndaluan më herët gjatë kësaj jave në Kabul.

Teksa ka mohuar se kanë ndaluar ndonjë grua, zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid tha për AFP-në më 22 janar se grupi ekstremist, që është në pushtet në Afganistan, ka të drejtë të “arrestojë dhe ndalojë disidentët apo ata që shkelin ligjin”.

Këto komente të zëdhënësit të talibanëve vijnë pasi Misioni për Asistencë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan bëri thirrje që talibanët të japin informacione rreth vendndodhjes së Tamana Zaryabi Paryani dhe Parwana Ibrahimkhel, që raportohet se janë marrë nga shtëpitë e tyre, pasi kishin marrë pjesë në protestat e fundit të organizuara për të drejtat e grave.

Një video e postuar në rrjetet sociale shfaq aktivisten Paryani duke kërkuar ndihmë teksa ajo pretendon se militantët talibanë kanë ardhur pranë shtëpisë së saj më 19 janar. As për Paryani ose Ibrahimkhel, që po ashtu raportohet se u ndalua po të njëjtën ditë, që atëherë nuk ka informacione. Më 21 janar, organizata Amnesty International u bëri thirrje talibanëve që të hetojnë rrëmbimin e një zyrtareje të lartë të burgjeve, e cila është e zhdukur mbi tre muaj, dhe ta lirojnë atë, nëse ajo po mbahet nga militantët.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët, që u rikthyen në pushtet gushtin e vitit të kaluar, se po kryejnë shkelje të rënda, veçanërisht sa i përket të drejtave të grave në edukim, arsim dhe pjesëmarrje në jetën politike dhe sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA