SHBA-ja ndalon një anije nga Irani që transportonte materiale për eksplozivë

23/01/2022 12:47

Marina amerikane njoftoi më 23 janar se ka kapur një anije në Gjirin e Omanit. Anija e ndaluar po barte pleh, që përdoret për të krijuar eksplozivë.

Anija ishte duke lundruar nga Irani përmes një rruge që më herët është përdorur për të dërguar armë kontrabandë për rebelët Huthi në Jemen.

Marina tha më 23 janar se e ka kontrolluar anijen, që vitin e kaluar u kap duke bartur mijëra armë, dhe më pas ia ka dorëzuar rojeve bregdetare të Jemenit, pasi anija u kap në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Omanit më 18 janar.

Një anije për shkatërrimin e raketave dhe një anije patrulluese “kapën anijen që po udhëtonte nga Irani… përgjatë një rruge që historikisht përdoret për të trafikuar armë për rebelët Huthi në Jemen”, tha Flota e 5-të e SHBA-së me bazë në Bahrejn.

E “njëjta anije peshkimi” ishte zbuluar se barte mijëra pushkë AK47, granatahedhës dhe armë të tjera kur u kap shkurtin e kaluar, tha marina amerikane.

Ndalimi i kësaj anijeje vjen në kohën e rritjes së tensioneve në rajon, pas një sulmi vdekjeprurës me dron në Abu Dabi, përgjegjësinë e të cilit e morën rebelët Huthi. Koalicioni i udhëhequr nga sauditët u kundërpërgjigj, duke kryer sulme ajrore në Jemen.

Për një kohë të gjatë, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin se furnizon me pajisje ushtarake rebelët Huthi, përfshirë edhe pjesë për dronë dhe raketa. Teherani mohon se e ndihmon financiarisht dhe ushtarakisht këtë grup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA