Britania e Madhe ka akuzuar presidentin Putin se po komploton për të instaluar një figurë pro-Moskës për të udhëhequr qeverinë e Ukrainës.
Ministria e Jashtme Britanike ndërmori hapin e pazakontë duke e cilësuar ish-deputetin ukrainas Yevhen Murayev si një kandidat të mundshëm të Kremlinit. Në një deklaratë, Sekretarja e Jashtme Britanike Liz Truss tha se: “Informacioni i publikuar sot hedh dritë mbi shtrirjen e aktivitetit rus me qëllim përmbysjen e Ukrainës dhe është një pasqyrë e të menduarit të Kremlinit.
Ndërkohë, ministria e Punëve të Jashtme ruse shkroi në Tëitter se ajo britanike po “qarkullonte dezinformata” dhe i kërkoi asaj “të ndërpresë këto aktivitete provokuese” dhe “të ndalojë përhapjen e mashtrimeve”.
Forcat perëndimore me në krye Amerikën kanë paralajmëruar se do të ketë sanksione të ashpra nëse tentohet pushtimi i Ukrainës. Sekretari i Shtetit Amerikan, Anthony Blinken e forcoi këtë paralajmërim në një intervistë për CNN ku deklaroi se nëse një ushtar i vetëm rus do kalojë në mënyrë agresive kufirin, do të ketë jë përgjigje të bashkuar dhe të ashpër nga Amerika dhe aletatët e saj.
Rusia e mohon vazhdimisht se po planifikon të bëjë ndonjë sulm, por presidenti Putin i ka bërë kërkesa Perëndimit, ku ndër to është edhe kushti që Ukraina të mos lejohet të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s.
Top Channel