Të shtunën në ishullin kryesor të Tongës, në Oqeanin Paqësor, mbërritën tre avionë ushtarakë australianë me ushqime, ujë të pijshëm dhe ilaçe. Këto janë vetëm disa nga mjetet e urgjencës që ditët e fundit kanë sjellë për plotësimin e nevojave më elementare në arkipelagun e largët, i cili është prekur rëndë nga pasojat e shpërthimit të vullkanit nënujor Hunga Tonga-Hunga Ha’apai.
Shtatë ditë pas shpërthimit që shkaktoi një cunami dhe një valë të fuqishme goditëse ende nuk ka një vlerësim të saktë të dëmit.
Në ditët para se të shpërthente, vullkani nënujor Hunga Tonga-Hunga Ha’apai dukej se ishte në një fazë të qetë, pas disa ditësh që ishte shfaqur i trazuar në fund të 2021.
Mes së shtunës dhe të dielës, brenda disa orësh, ndodhi shpërthimi i cili krijoi një llavë shumë të fuqishme, që shkoi me mijëra kilometra duke prodhuar një cunami shumë shkatërrimtar gjatë brigjeve të arkipelagut Tonga.
Për shkak të vendndodhjes së largët të Tongës, një vend me 105 mijë banorë që ndodhet rreth 2.300 kilometra në veri-lindje të Zelandës së Re, menaxhimi i operacioneve të shpëtimit ishte i vështirë.
Për ditë të tëra vinin shumë pak lajme nga arkipelagu, sepse i vetmi kabull telekomunikacioni me fiber optike që lidh mbretërinë polineziane të Tongës me pjesën tjetër të botës ishte dëmtuar.
Megjithatë, për të komplikuar edhe më shumë përpjekjet e ndërkombëtarëve, ishte edhe fakti se shumica e ishujve të arkipelagut, prej të cilëve 169 gjithsej, ishin mbuluar nga hiri vullkanik, çka e bënte të pamundur uljen e avionëve dhe po ashtu kishte kontaminuar shumë rezerva të ujit të pijshëm.
Ishujt më të goditur nga shpërthimi janë ata që ndodhen në pjesën perëndimore të vendit, disa dhjetëra kilometra larg vullkanit.
Tre persona kanë humbur jetën, operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, kurse bilanci i dëmeve do të jetë akoma edhe më i vështirë të nxirret.
Të mërkurën, shërbimi telefonik në arkipelag u restaurua pjesërisht dhe ditën e enjte, pasi u pastrua pista e aeroportit kryesor të vendit, dy avionët e parë ushtarakë që vinin nga Zelanda dhe Australia sollën ujë të pijshëm dhe produkte të tjera për plotësimin e nevojave elementare. Ditën e premte mbërriti edhe një anije ushtarake e Zelandës së Re me 250 mijë litra ujë të pijshëm.
Megjithatë, të enjten, një avion australian u detyrua të kthehej në bazë për shkak të një personi që doli pozitiv me koronavirus. Ndërsa disa probleme teknike vonuan mbërritjen e dy avionëve japonezë C-130 që mes shumë produkteve ushqimore, do sillnin edhe 5 mijë litra ujë të pijshëm.
Për shkak të koronavirusit, operacionet e dhënies së ndihmës, po kryhen në distancë dhe me vëmendjen më të madhe, duke qenë se në Tonga është zbuluar vetëm një rast pozitiv që nga fillimi i pandemisë.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se ekziston një shqetësim i madh për momentin, pasi më shumë se 50 mijë njerëz, nuk do të kenë akses në ujë të sigurt. Përveç kësaj, tha ai, karburanti po pakësohet dhe në disa zona janë raportuar dëme serioze në bujqësi, blegtori dhe në objektet e peshkimit.
Top Channel