Rriten me 70% kostot e prodhimit të tullave, 2022 një vit i vështirë

22/01/2022 08:47

Industria e tullave është përballur vitin e kaluar me një rritje të vazhdueshme të kostove të prodhimit që, në raport me 2020, ishin 70% më të larta.

Situata e prodhuesve shqiptarë

Vështirësitë për sektorin e prodhuesve dhe kryesisht ata të tullave nuk lindën brenda ditës. I gjithë viti i kaluar, me zhvillimet post-pandemike në tregjet globale, ka dhënë efekt të njëpasnjëshëm në disa segmente, që prekin direkt industrinë e tullave. Por në çfarë situate ndodhet sot kjo industri?

“Dua të përmbledh, në vija të përgjithshme, çfarë ka ndodhur me 70% të kostove të prodhimit tonë në vitin e fundit (2021):

  • Pet Kok, ose ndryshe i njohur si koksi i naftës, në 2020 kushtonte më pak, 16 lekë për ton, pa TVSH, dhe sot është 30 lekë pa TVSH.
  • Gazi i lëngshëm nga 50 lekë pa TVSH, tani kushton 132 lekë për kg pa TVSH
  • Energjia elektrike ka qenë 10 lekë pa TVSH, tani është 20 lekë pa TVSH
  • Lëndët ndihmëse, si paletat dhe plastmasa janë rritur në masën 40% ose më shumë
  • Ndërkohë, pagat që zënë një kosto jo më të vogël se 20% të kostos prodhuese, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe specialistëve janë rritur jo më pak se 20%. Në total, elementet e sipërcituar përbëjnë të gjithë së bashku, 90% të kostos së prodhimit të tullave.

Në kushtet që flasim, kostoja e prodhimit në krahasim me një vit më parë, është rritur jo më pak se 70% dhe çmimi si pasojë e këtyre rritjeve, është rritur 50-60%, duke realizuar një rënie drastike të marzhit të fitimit, ose për të thënë, ne jemi në kufijtë e mbijetesës” – shprehet znj. Baraj.

Efekti i rritjes së kostove është transmetuar zinxhir në rritjen e çmimit të produkteve, duke sjellë rënie të dukshme të eksporteve. Për ilustrim, në vitin 2019, kompania eksportonte afërsisht 50% të prodhimit, ndërsa gjatë vitit 2021, eksportet nuk kaluan 15% të tij.

Bien eksportet me Kosovën, industria aty mbështetet nga qeveria

Në vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka pasur një qasje pozitive drejt zgjerimit të industrisë së tullave në vend, duke reduktuar në këtë formë importet e larta nga Serbia, por duke prekur edhe importet që bënte në Shqipëri. Në fakt, çmimi me të cilin produkti shqiptar prek tregun e Kosovës nuk është konkurrues dhe kjo lidhet me mbështetjen që qeveria e Kosovës i jep industrisë së saj.

“Në ndryshim nga Kosova, ku para vitit 2016, linja kryesore e gjenerimit të lëndëve inerte, e në mënyrë të veçantë, tullave, ishte importi nga Shqipëria dhe Serbia, në mënyrë specifike 80% produkt serb dhe 20% produkt shqiptar, qeveria e Kosovës ka vendosur në 2016 të ndryshojë kurs:

Me qëllim të rritjes së investimeve në prodhim, Qeveria e Kosovës ka ndryshuar edhe politikat tatimore. Me ndryshimet që i janë bërë Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), e që hyri në fuqi në pjesën e dytë të vitit 2015, nga TVSh-ja janë përjashtuar linjat e prodhimit.

Sipas KASH, kjo masë do të përmirësonte likuiditetin e bizneseve prodhuese vendase; në periudhën afatmesme do të inkurajonte rritjen e investimeve private, prodhimin vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës; dhe në periudhën afatgjatë do të mundësonte rritjen graduale të aftësisë konkurruese të bizneseve kosovare, edhe në tregjet ndërkombëtare.

Në kontekstin e mospasjes së një politike të qartë për zhvillimin dhe mbështetjen e prodhimit vendas, sot jemi para faktit që tullat shqiptare (Shoqëria KID – Alb, Fabrika e Tullave Edil Centro, Milis Bricks Lezhë dhe Fushë-Krujë që zënë mbi 80% të prodhimit vendas) kanë çmime aspak konkurruese të paktën me produktin e Kosovës.

Në ndryshim nga qeveria shqiptare, lëndët djegëse në Kosovë, koksi i naftës nuk ka taksë karboni dhe akcizë, që do të thotë kanë një kosto 30% më të lirë se “Made in Albania”.

Për të mbrojtur prodhimin vendas, Kosova sot ka taksa mbi produktet jo kosovare, si dhe lehtësi të tjera për sa i përket produktit vendas” – shprehet znj. Baraj. Shqetësimi më herët ka kaluar edhe pranë qeverisë, përpara miratimit të paketës fiskale, por duket se nga autoritetet nuk është parë e arsyeshme të përfshihet ndonjë pikë.

Energjia mes problemit kyç dhe zgjidhjet për sektorin

Kriza e fundit e energjisë po ndikon direkt të gjithë ata që janë në tregun e liberalizuar. Bizneset që janë të lidhur në tension 35 kilovolt kanë marrë prej furnizuesve çmime dy herë më të larta sesa ato që kishin më herët. Ndërkohë që në këtë treg do të dalin edhe 7358 biznese të tjerë, si pjesë e planit të qeverisë për liberalizimin. Industria e tullave sërish do të marrë një tjetër goditje nga faza e dytë.

“Sa i takon energjisë elektrike, ne kemi dy burime, 20 kv dhe 35 kv dhe mesatarisht kemi një faturë prej

10 milionë lekë në muaj, që përkon me 17-20% të kostos (çmimi i energjisë 10 lekë për kw/orë). Këtë vit, sipas njoftimeve të qeverisë për dalje në treg të lirë të të gjitha burimeve të energjisë, dhe çmimeve aktuale të bursës së energjisë elektrike, ky zë, minimumi do të zërë 30-35% të kostos së prodhimit” pohon znj. Baraj, duke nënvizuar se kjo do ta vështirësojë edhe më shumë aktivitetin.

Aspektet që penalizojnë industrinë

Në kushtet ku ndodhet industria, edhe më herët ajo i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë për të lehtësuar disi situatën.

Së pari, është kërkuar që faturimi i energjisë elektrike të bëhet sipas fashave të përdorimit. Kjo do të thotë që në turnin e tretë, si në gjithë vendet e BE-së, të faturohet me çmimin më të ulët (sipas Bursës).

Së dyti, të hiqet kufizimi për sistemin fotovoltaik, por të kushtëzohet nga aftësitë konsumuese dhe përdoruese të vetë biznesit (që do të thotë nëse një shoqëri prodhuese konsumon 2 MWh, nuk mundet kurrsesi të kufizohet me vetëm 0,5 MW (sikurse e parashikon aktualisht sot Ligji Nr. 7/2017 ‘Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme’) ku e kufizon prodhuesin shqiptar në të njëjtat nivele prodhuese të energjisë elektrike me qytetarin.

Së treti, bankat e nivelit të dytë, duhet të marrin stimuj nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare që të mbështesin bizneset prodhuese shqiptare, në këtë kohë krize botërore. Diçka e tillë do t’u mundësonte kreditim me norma sa më të ulëta kreditimi (vende të rajonit dhe të BE-së sa i takon prodhimit të energjisë së gjelbër kanë politika të mirëstrukturuara për rritjen e iniciativës dhe mbështetjen e kësaj industrie me grante nga BERZH dhe Banka Botërore).

Së katërti, kërkohet që të hiqet menjëherë tarifa e skanimit për të gjitha automjetet që kanë një vlerë më të vogël se 2,000 euro. Për një automjet me vlerë totale 1001 euro në total mall, paguhen 25 euro skanim, i cili nuk kryhet e nuk është kryer ndonjëherë.

Zgjidhjet që mund të jepen për industrinë

Pesë janë propozimet që industria e tullave parashtron për qeverinë, si masa që mund të lehtësojnë disi kostot e saj. Znj. Baraj nënvizon se këto pika i janë dërguar edhe më herët autoriteteve për t’u pasur parasysh, por nuk ka pasur reagim. Por cilat janë këto pika?

“Së pari, lehtësimi i kushteve të investimeve në sistemet fotovoltaike: leja në prodhim të jetë të paktën e barabartë me kontratën që subjekti ka me OSSHE-në. Në rastin tonë, kontrata është 1,7 MWh, normalisht aq duhet të jetë të paktën dhe leja për prodhimin e energjisë.

Së dyti, të merren masa që lëndët djegëse, të cilat janë kostot kryesore të prodhimit në lëndët inerte – çimento dhe tulla, të përjashtohen nga taksat e sipërcituara, me qëllim bërjen e këtyre produkteve të përballueshme.

Së treti, të hiqet skanimi i automjeteve (ose të bëhet realisht efektiv).

Së katërti, të subvencionohet nga shteti marrja e specialisteve nga bankat e shkollës për një periudhë 6-mujore, afat i nevojshëm për përgatitjen e specialistëve në linjat e prodhimit me qëllim rritjen e profesionistëve shqiptarë.

Së pesti, qeveria shqiptare, nëse do të mbështesë prodhuesin shqiptar, duhet medoemos të bëjë një investim kombëtar urgjent nga Semani e deri në Mal të Zi të linjës së gazit metan furnizuar nga TAP. Kjo do të ulë shumë kostot e prodhimit dhe biznesi është gati të investojë në projekte që të vijë gazi në bizneset prodhuese.

Ky gaz vjen nga Azerbajxhani e shkon në Itali. Pse të mos përfitojë nga kjo edhe Shqipëria. Investimi në linjën e gazit qendror do të ulte ndjeshëm koston e prodhimit të produkteve tona dhe do t’i bënte ato konkurruese në tregjet rajonale”, shprehet znj. Baraj./ Monitor

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA