Greqia i është shtuar listës së vendeve ku është zbuluar nënvarianti i ri Omicron 2, i cili tashmë është përhapur gjerësisht në Danimarkë dhe vende të tjera evropiane, por ende nuk dihet nëse ai sillet ndryshe nga mutacioni primar Omicron.
Sipas mjekeve ajo që dihet është fakti që ky nënvariant i ri, qëndron i fshehur dhe nuk zbulohet lehtë nga testet diagnostike. Dy rastet e para të tij janë një çift udhëtarësh nga Egjipti që mbërritën në aeroportin “Eleftherios Venizelos” më 13 janar.
Pasi u identifikuan si pozitivë ,analiza gjenomike e mostrave të tyre rezultoi me nënvariantin e ri dhe ata kanë kryer karantinën prej shtatë ditësh sipas protokollit .
Omicron 2 është shkaku që orët e fundit hapi një cikël të ri shqetësimi në komunitetin shkencor brenda dhe jashtë Europës. Në Norvegji, vlerësimet fillestare e konsiderojnë atë edhe më ngjitëse se virusi original dhe në Danimarkë, gjysma e të gjitha rasteve të reja janë konstatuar me këtë nënvariant.
Ndërkohë treguesit e pandemisë vazhdojnë të shqetësojnë mjekët në Greqi . Në 24 orët e fundit për të tretën herë brenda javës pati numër treshifror viktimash, 108 dhe në total prej fillimit të pandemisë numri i vdekjeve ka shkuar gati 22500.
Ndërkohë që infektimet ditore janë stabilizuar me gati 20000 gjatë gjithë kësaj jave, një e treta e tyre janë fëmijë të moshës 0-17 vjeç dhe 90% e tyre kanë variantin Omicron. Numri i të intubuarve gjithashtu vazhdon të mbetet përsëri në shifra alarmante , 679.
Specialistët e pandemisë vlerësojnë se numri i lartë i vdekjeve dhe të intubuarve i takon grupmoshës mbi 70 vjeç, ndërkohë që rreth 300.000 grekë të kësaj grupmoshe preferuan të mos vaksinohen dhe të paguajnë çdo muaj 100 euro gjobë.
Top Channel