Kryedemokrati Lulzim Basha theksoi se nuk është kurrë vonë për të kërkuar falje, gjatë takimit me mbështetësit durrsakë.
“Ne do ta përfundojmë shumë shpejt këtë tollovi duke u ndarë me të kaluarën, me simbolet e korrupsionit, duke e shtrirë dorën atyre demokratëve të ndershëm që e humbën rrugën. Programi dhe vizioni ynë është zhvillimi i Durrësit përmes meritës, kthimi i shqiptarëve kundër korrupsionit. Ne dimë ta lëmë pas të shkuarën pa e harruar, të kërkojmë falje, të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë në krye të shumicës së shqiptarëve që duan t’i japin fund dinozaurëve të tranzicionit. Kurrë nuk është koha për ‘i thënë demokratëve që kemi gabuar, falje që ai nuk e kërkoi”, tha Basha.
Kreu i PD-së, i mëshoi shumë të vërtetës, të cilën demokratët e kanë thënë me zë të lartë kur të tjerët nuk kanë guxuar, sipas tij.
“Nuk kemi ardhur për të sharë asnjë demokrat të vetëm, për të shpifur kundër asnjë shqiptari dhe jo më ndaj anëtarëve të partisë së politike. Nuk ka gjë më të fortë se e vërteta dhe ajo është me ne. Ne e kemi thënë gjithmonë me zë të lartë, kur të tjerët s’kanë guxuar as ta pëshpërisin. Sa herë kemi vizituar lagjet e dërrmuara nga tërmeti të Durrësit, Fushë Krujës. Ai donte ta fuste PD në një gropë të zezë. Vetëm tre veta se duan Vetingun e politikanëve, pse nuk e duan, se kjo ndan shapin nga sheqeri”, tha Basha.
Basha u ndal këtë të shtunë në Durrës, ku sërish u prit nga një grup protestuesish të cilët duan që ai të largohet nga posti që mban.
Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha thërrasin me të madhe” Basha ik”, ndërsa disa prej tyre janë përplasur me grupin që mbështet kreun e PD-së.
Prania e forcave të shumta policore ka mbajtur nën kontroll situatën dhe konflikti mos të përshkallëzohej më tej.
Protesta u zhvillua në sheshin kryesor të Durrësit, para teatrit ”Aleksandër Moisiu” ku aktualisht po mbahet takimi i Bashës me mbështetësit e vet, ndërkohë protestuesit vijojnë të qëndrojnë në shesh.
Përplasja e thellë dhe e dhunshme për të marrë nën kontroll selinë blu në Tiranë, ia ka lënë vendin takimeve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në një tur në të gjithë vendin.
Dy demokratët kanë mbledhur forcat për të mbajtur afër mbështetësit e tyre, ndërsa situatat e brendshme politike e Partisë Demokratike sa vjen e bëhet edhe më e ashpër.
Top Channel