Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për rastin e gjyqtares, e cila pengoi ndërtimin e qendrës kombëtare për fëmijë te Liqeni një javë para se të kalonte në vetting, duke e cilësuar “ordinere”.
Në një komunikim me ndjekësit për drejtësinë, Rama iu përgjigj edhe atyre që thotë se Prokurorët e SPAK që marrin miliona, kanë frikë të vendosin drejtësi duke thënë: “Këto milionat, frikërat e akuzat nuk na çojnë asgjëkundi.”
“Unë jam i vendosur se po të mos isha, nuk i hyja fare Reformës në Drejtësi, nuk do të rrija me këmbëngulje e kokëfortësi, nuk do të dilja të vendosja lule aty ku janë shenjat e të rënëve më 21 janar. Sistemi që kemi zgjedhur i ka ndarë punët dhe në një kuptim të caktuar jemi jo vetëm të barabartë por edhe të pafuqishëm përballë padurimit tonë që shpesh herë na vë poshtë. Jo më larg se pak ditë më parë, unë fola për një rast skandaloz, ku një gjykatëse skandaloze, një ordinere i ra ndesh një projekti të madh të qeverisë për fëmijën dhe e bllokoi për llogari të një individi. Ende sistemi është në pastrim e sipër. Nuk ka një forcë që mund ta bëjë sa hap e mbyll sytë. Leje çfarë thonë, ky i kontrollon të gjithë. E para është e pavërtetë, e dyta nuk funksionon kështu”, tha ai.
Në prezantimin e nismës së Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë vitin që shkoi, kryeministri Rama, denoncoi rastin e gjyqtares Klorinda Çela, duke e akuzuar këtë të fundit për tjetërsim prone, pasi sipas tij pronën shtetërore ia kaloi pa të drejtë një subjekti privat. Ai theksoi se kjo gjyqtare dhe të gjithë të tjerët që japin vendime të tilla kaq të padrejta duhet të thirren nga SPAK dhe të pezullohen menjëherë.
Vendimi i gjyqtares për të kaluar një pronë shtetërore tek privati u mor një javë para se ajo të shkarkohej nga vettingu më 27 tetor 2021.
Top Channel