Operatorët e pajisjeve të identifikimit elektronik, Celibashi: Do të rregullojmë shumë gjëra, tani e kemi eksperiencën

21/01/2022 12:16

Më 6 mars do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bëri me dije se edhe pse koha është shumë e shkurtër, po punohet që dhe për këto zgjedhje të aplikohet sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve.

Por për këtë do të ketë një konsultim edhe me partitë politike. Në konferencën për mediat, Celibashi u pyet për teknikët që qëndrojnë pas pajisjeve duke thënë se kanë kontaktuar disa prej tyre dhe do të marrin të njëjtët operatorë nëse kanë interes.

Sa i përket monitorimit të aktiviteteve të ndaluara, u shpreh se duhet të respektohen disa parime dhe rregulla.

Pyetje: Edhe në këto zgjedhje vlen monitorimi i aktiviteteve të ndaluara në favor të kandidatëve?

Celibashi: Kodi nuk e ka rregulluar por në konceptin tim vlen që do të ketë disa rregulla për sjelljen e administratës publike. Janë zgjedhje dhe duhet të respektohen disa parime që lidhen me ndershmërinë e procesit zgjedhor. Jemi duke punuar dhe besoj se do të kemi një rregullim për aq sa koha dhe natyra e zgjedhjeve e kërkon.

Pyetje: Në zgjedhjet e 25 prillit u pa si problematikë çështja e operatorëve, pra teknikëve që qëndrojnë tek pajisjet e identifikimit elektronik. Në këto zgjedhje, koha është akoma më e shkurtër. Keni ruajtur kontaktet e operatorëve nga zgjedhjet e 25 prillit apo do të ketë rekrutime të reja?

Celibashi: Ne e kemi të gjithë bazën e të dhënave për operatorët. Kemi dhe synojmë që të njëjtët persona të punojnë si operatorë dhe në këto zgjedhje, nëse do të kenë interes. Kemi vendosur disa konktakte. Po ndërtojmë të gjithë skemën e koordinimit. Nëse 100% e atyre që punuan si operatorë do të preferonin të punonin, do të rregullonim shumë gjëra, besoj se do të jetë më e thjeshtë në këtë pikëpamje. Për menaxhimin dhe trajnimin, dhe ne tashmë e kemi një eksperiencë. I vetmi problem është pajisja në vetvete. Ne kemi një numër pajisjesh rezervë, rreth 500 por pjesa tjetër duhet të vijë nga procesi i asgjësimit të të dhënave. Sot po punojmë në këtë gjë. Vazhdojmë të kemi asistencën e kompanisë, por gjithsesi kanë qenë fleksibël.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA