Arrest në burg për të riun që tentoi të vjedhë bashkinë e Durrësit, duke u ngjitur në skelat e vendosura në fasadën e saj.
I njohur si hajduti skrapi dhe i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti gjatë dy viteve të fundit, 27-vjeçari i akuzuar këtë herë për vjedhje në tentativë të bashkisë ka dalë sot sërish para gjykatës së Durrësit.
Gjyqtari e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin e tij dhe ka caktuar si masë sigurie atë të arrestit në burg.
Skeda penale e Xhilson Kallmaçakut e ka rënduar pozitën e tij para gjykatës. Ai ishte liruar nga burgu më 16 nëntorin e kaluar, po pak ditë më parë u filmua teksa ngjitej në skelat e vendosura në fasadën e bashkisë dhe pas zbritjes prej tyre dhe identifikimit u arrestua nga shërbimet e policisë.
Arrestimi i parë i tij ka qenë në moshën 15-vjeçare kur me një shok më të vogël se ai u kap në flagrancë pasi vodhi për skrap dy porta hekuri brenda territorit të portit detar. Atëherë për shkak të moshës u la shpejt i lirë, po nuk vonoi që Xhilson Kallmaçaku të bjerë sërish në prangat e policisë, disa herë.
Në qershor të vitit 2020 Kallmaçaku u dënua me një vit burgim për vjedhjen e dyerve dhe dritareve të një shtëpie të dëmtuar nga tërmeti në zonën e ish-kënetës. Sendet e vjedhura që ekspertët i vlerësuan në shumën e 100 mijë lekëve i pati shitur në një dyqan për 6 mijë lekë. Një vit më pas, i është rikthyer sërish vjedhjeve. Në një shtëpi të dëmtuar nga tërmeti dhe të pabanuar, ku pasi nuk ka gjetur sende të tjera me vlerë është larguar duke marrë me vete motorët e dy frigoriferëve, që më pas i ka shitur për vetëm 5.000 lekë.
Top Channel