Parlamenti i Austrisë do të votojë për vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19

20/01/2022 12:32

Parlamenti i Austrisë pritet sot të votojë për vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19, me çka do ta bënte atë vendin e parë në Evropë që do ta bëjë këtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drafti i hartuar nga qeveria do të zbatohet për të gjithë shtetasit austriakë mbi moshën 18-vjeç, me përjashtim të grave shtatzëna, personave që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore dhe personave që janë shëruar nga infeksioni i koronavirusit në gjashtë muajt e fundit.

Koalicioni qeverisës i kancelarit Karl Nehammer, i përbërë nga Partia e tij Konservatore Popullore Austriake dhe të Gjelbrit ka punuar për realizimin e planit me dy nga tre partitë opozitare në parlament. Ky hap u kundërshtua nga Partia opozitare e Lirisë së ekstremit të djathtë.

Plani është që vendimi për vaksinimin e detyrueshëm të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit. Fillimisht, autoritetet kompetente do të informojnë çdo familje për rregullat e reja.

Nga mesi i muajit mars, policia do të nisë kontrollin e statusit të vaksinimit të qytetarëve gjatë kontrolleve rutinë. Qytetarëve të cilët nuk janë në gjendje të ofrojnë dëshmi të vaksinimit do t’u kërkohet ta bëjnë këtë me shkrim dhe do të gjobiten deri në 600 euro nëse nuk e bëjnë këtë.

Nëse autoritetet vlerësojnë se progresi i vaksinimit në vend vazhdon të jetë i pamjaftueshëm, ata fillimisht do t’u dërgojnë paralajmërime personave të pavaksinuar. Nëse edhe kjo dështon, personave të pavaksinuar do t’u caktohet termin për vaksinim. Nëse nuk e respektojnë, atëherë do të përballen me gjobë deri në 3.600 euro.

Vendimi për vaksinimin e detyrueshëm duhet të qëndrojë në fuqi deri në fund të janarit 2024. Komisioni i ekspertëve do të raportojë në Qeveri dhe Parlament çdo tre muaj për ecurinë e procesit të vaksinimit.

Sipas të dhënave të fundit në Austri, 71.8 për qind e popullatës së rritur është plotësisht e vaksinuar./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA