Mashtrim dhe paligjshmëri në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Durrësit, procedohet penalisht kryetari dhe anëtari i KF Erzeni

20/01/2022 09:27

Kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni janë proceduar penalisht pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak.  

Kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, Fundim Dollaku dhe anëtari i shoqatës Marjus Shahini akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Për këta është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak.  Kujtojmë se këtë javë, Shoqata Rajonale e Durrësit hapi siparin e zgjedhjeve në shoqatat rajonale, të cilat i paraprijnë  zgjedhjeve të FSHF-së.

Altion Keçi, i cili bëri kallëzimin foli për Top Channel duke thënë se është i bindur në akuzat e tij dhe se do të presë organin e akuzës të hetojë dhe zbardhë më tej shkeljet e bëra.

Drejtori i klubit shumësportësh Altion Keçi dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj Fundim Dollakut, si personi që ka përfaqësuar  klubin në zgjedhjet e shoqatës.

Dollaku gjatë zgjedhjeve të bëra në mbledhjen e Shoqatës Rajonale të Durrësit ka qenë  përfaqësues i klubit ”Erzeni” dhe është zgjedhur edhe si delegat me të drejtë vote për zgjedhjet në FSHF ku kreu aktual A. Duka synon mandatin e gjashtë.

Keçi me cilësinë e drejtorit të klubit ”Erzeni” denoncon Dollakun i cili, siç thuhet në kallëzim “në kushtet e paligjshmërisë absolute ka përfaqësuar klubin e futbollit Erzeni në shoqatën rajonale Durrës pa asnjë tagër ligjor dhe i paautorizuar nga ai si drejtues, asambleja e klubit apo nga kryetari i bashkisë Shijak Elton Arbana”.

Veprimet e Dollakut konsiderohen të paligjshme dhe në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria ka protokolluar kallëzimin dhe pritet të thërrasë denoncuesin dhe të denoncuarin për të sqaruar më tej këtë situatë që ka trazuar ujërat në prag të zgjedhjeve në Federatën e futbollit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA