Gazsjellësi “EastMed” fut Greqinë në mesin e një “Lufte të Ftohtë”, SHBA e konsideron si “pikë tensioni në Mesdheun Lindor”

20/01/2022 12:29

Greqia ndodhet në mesin e një “lufte të ftohtë” për kontrollin e transportit të gazit natyror dhe burimeve të tjera energjetike drejt Evropës dhe nga një nyje energjetike që pretendonte të ishte pas projektit të gazsjellësit EastMed, ditët e fundit kanë ardhur mesazhe negative për të, ndërsa kriza energjetike është në kulmin e saj.

Ishte janari i vitit 2020, kur kryeministrat Mitsotakis, Netanjahu dhe presidenti qipriot Anastasiadhis nënshkruan projektin prej gjashtë miliardë euro, të një tubacioni prej 1,900 km, një alternativë që do ndihmonte për të lehtësuar varsinë e Evropës nga gazi rus.

Gazsjellësi nënujor sapo të përfundonte në 2025 me ndihmën edhe të fondeve të BE-së, do të sillte fillimisht 10 miliardë metra kub gaz nga Izraeli dhe Qipro nëpërmjet Greqisë, drejt Italisë dhe zemrës së Evropës.

Një nga tubacionet më të mëdha të gazit natyror në botë do të ketë përfitime të dukshme për vendet pjesëmarrëse në programin e saj”. tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Por SHBA-të kanë shprehur dyshime për efektivitetin e tij me një “non-paper”, drejtuar qeverive të Greqisë, Qipros dhe Izraelit, në një kthesë të dukshme mbi projektin gjigant të mbështetur nga ish-administrata Trump.

Ata kanë karakterizuar gazsjellësin “EastMed” si “të paqëndrueshëm” dhe “pikë tensioni në Mesdheun Lindor, duke përmendur pretendimet greko-turke mbi rezervat e gazit në rajon.

Orë e fundit, presidenti turk, i cili ka kundërshtuar që në fillim gazjellësin në fjalë, deklaroi me kenaqësi që Ankaraja do të përfshihet në një projekt të ngjashëm në bashkëpunim me Izraelin, duke hedhur një hap miqësor në afrimin e dy vendeve.

Kemi kohët e fundit një progres sa i përket transportit të gazit izraelit në Evropë përmes Turqisë dhe në Evropë përmes Turqisë dhe ne ende mund ta bëjmë këtë”, tha Erdogan.

Analistë të ndryshëm brenda dhe jashtë Greqisë, vlerësojnë se ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së për pezullimin e projektit “EastMed”, mund të lidhet drejtpërdrejt me presionin e Ankarasë, si një lojtar shumë i fuqishëm në rajon, por edhe me interesat amerikane pasi Uashingtoni favorizon pronarët e anijeve çisterne të SHBA-së që sjellin gazin e lëngshëm LNG, në Evropë dhe në portin grek të Aleksandrupolit, duke mbështetur njëkohësisht edhe dy gazsjellësat ku ato përfshihen drejtpërdrejt, TAP dhe IGB./Nga Aleksandër Marku, Greqi/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA