Fiks Fare denoncoi veprimet e noterit Kelti Mano, i cili është larguar prej disa muajsh në SHBA, pas disa veprimeve tepër të dyshimta me klientët.
Qytetari Zazan Duro u ankua në emisionin investigativ se ka blerë një apartament në Korçë. Ka bërë një kontratë noteriale me shitësin para noterit Kelti Mano.
Dhe, sipas kontratës, paratë do depozitoheshin në llogarinë e noterit deri sa në emër të Zazan Duros të dilte certifikata e pronësisë e noterit. Por, pa kaluar pronësia te denoncuesi, noteri i jep autorizim shitësit që të tërheqë paratë. Dhe, pas këtij veprimi, noteri zhduket duke lënë qytetarin të endet në Korçë.
“Kontratën e kam bërë në datën 20 gusht 2021. Para se të bëja kontratën, kam shkuar në një bankë të nivelit të dytë dhe kam depozituar të gjithë shumën prej 17 milionë lekësh, në llogarinë dhe në emrin e noterit, me qëllim që kur të dilte certifikata e pronësisë në emër të tij, shuma të depozitohej ose të tërhiqej më pas nga shitësi. Por, pa kaluar pronësia në emrin tim, Zazan Duro, noteri i jep një autorizim shitësit të tërheqë këtë shumë nga llogaria bankare e tij” thotë denoncuesi.
Më pas thotë se shuma i ka kaluar shitësit në muajin tetor 2021, ndërsa noteri aplikoi për ndryshim pronësie. “Por, pas aplikimit, noteri Kelti Mano zhduket nga Shqipëria duke lënë në mes të gjithë procedurën” thotë ai, teksa shton se është interesuar disa herë te Kadastra Korçë, por i kanë thënë se aplikimin e ka bërë noteri dhe përgjigjen duhet ta merrte te noteri. Por, zyra e noterit ka qenë e mbyllur dhe ai është endur për muaj me radhë në Korçë, por pa mundur dot të zgjidhë problemin. Qytetari thotë se shitësi i ka thënë se i ka marrë lekët, por ai nuk bën dot tani asnjë investim pasi s’ka certifikatë pronësie.
Pas ankesës, denoncuesi shkon te zyra e noterit, e cila qendrën e mbyllur. Në derë e presin disa klientë, që kanë probleme të ngjashme. Ndërkohë, disa të tjerë që kanë biznese aty pranë thonë se ka ikur në SHBA, pasi ka pasur probleme në Korçë. Qytetari shkon te shitësi Xh.F, i cili i thotë se kontratën e kanë bërë te noteri Kelti Mano. Sipas shitësit, noteri ka bërë veprim kriminal që s’është interesuar më pas për certifikatën e pronësisë. Shitësi e pranon se i ka marrë lekët e apartamentit nga noteri. Më pas, Fiks Fare interesohet në Policinë e Korçës për noterin Kelti Mano, nëse është shpallur apo jo në kërkim, ka apo jo probleme. Te informacioni i thonë se ka disa probleme, por për rastin në fjalë duhet të interesohej te bashkëshortja e tij që punon në Prefekturë.
Denoncuesi dhe gazetari i Fiks Fare shkojnë te bashkëshortja e noterit Kelti Mano, në Prefekturën Korçë. Ajo i thotë se Kelti është në SHBA dhe ka nënën sëmurë. Më pas i tregon se do të kthehet në fund të muajit janar, ndërsa i pyet se çfarë problemi kanë. Më pas i thotë se do të flasë me Kadastrën e Korçës të pyesë se ku qëndron problemi. Qytetari dhe gazetari i Fiks Fare shkojnë në zyrën e Kadastrës, por në sportel i thonë se aplikimin duhet ta bëjë noteri.
Gazetarët e Fiksit u interesuan në Kadastrën e Korçës, ku drejtuesit u kërkojnë që të bëjnë një kërkesë zyrtare për të verifikuar rastin. Në të njëjtën ditë, Kadastra na kthen një përgjigje se “në Kadastër, është aplikuar në datën 20 gusht 2021, ku është dërguar edhe kontrata e shitblerjes për apartamentin me sipërfaqe 52 m2. Brenda afatit të parashikuar, është kthyer përgjigje nga për plotësim dokumentacioni, ku ndër të tjera i është kërkuar: Pagesë për pasqyrimin e bashkëpronësisë dhe aplikimin pa pagesë AV0. Me shkresën e datës 28 tetor 2021 i është kërkuar sërish pagesa për shërbimin kadastral”. Sipas Kadastrës, “pas interesimit të gazetarëve të emisionit investigativ ‘Fiks Fare’ në sistemin IPS të ASHK Korçë është shfaqur aplikimi pa pagesë (AV0), por duke mos u kryer sërish pagesa e kërkuar nga ASHK Korçë, e domosdoshme për regjistrimin e kontratës së shitblerjes të sipërcituar”. Pra, zyra e Kadastrës së Korçës, thotë se kalimi i pronësisë nuk është bërë, pasi noteri Kelti Mano nuk ka aplikuar sërish.
Fiks Fare bisedoi me noteren Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve. Sipas saj, ka një udhëzim të përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për “procedurën teknike për kryerjen e pagesës në rastet e kalimit të pasurive të paluajtshme”, ku paratë fillimisht depozitohen në llogarinë e noterëve dhe pas kalimit të pronësisë nga shitësi te blerësi, shuma kalon te shitësi. “Nëse ka ndodhur një gjë e tillë, thotë Sadushi, është shkelje e noterit”. Sipas saj, Dhoma e Noterëve do të verifikojë rastin në fjalë dhe do të marrë masa. Pyetjes se, a mund të largohet një noter për muaj me radhë, zonja Sadushi thotë se ai duhet të marrë leje te Dhoma Kombëtarëve e Noterëve dhe në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas saj, noteri Kelti Mano nuk ka lajmëruar Dhomën e Noterëve për largimin e tij.
Pas interesimit të Fiks Fare në Dhomën Kombëtare të Noterëve dhe në Kadastrën e Korçës, kjo e fundit veproi duke i kërkuar qytetarit që të riaplikonte me kredencialet e tij në e-albania. Dhe, pas disa ditësh, qytetari u pajis me certifikatën e pronësisë së apartamentit. “U enda prej disa muajsh nga Përmeti ku jetoj në Korçë. I çova një mesazh Fiks Fare dhe ata më mbështetën. Shkuam bashkë në Korçë dhe ata më mbështetën për zgjidhjen e këtij problemi. Falë interesimit të tyre unë sot mora certifikatën e pronësisë. Shumë faleminderit Fiksit” thotë qytetari.
***
Zyra e noterit Kelti Mano
Fiksi – Më fal!
Denoncuesi – Ka ikur në Amerikë (noteri).
Fiksi – Ka ikur në Amerikë?!
Qytetari – Është e saktë që ka ikur në Amerikë?
Denoncuesi – Po ore.
Fiksi – Kur vjen, s’dihet?
Qytetari – Sje as i pari as i fundit që vjen për të.
Fiksi – S’vjen më?
Qytetari – Do vijë, po thuaj kur do vijë!
Denoncuesi – Vijnë dhe të tjerë si puna ime?
Qytetari – Oo sa të duash.
Fiksi – A ka shtëpi ku du me dit unë?
Qytetari – Bëj ankesë në polici, të thërrasin të shoqen.
Qytetarë të tjerë – Si kaluat?
Qytetari – Si je.
Qytetarë të tjerë – Ky s’e ka hapur?
Qytetari – Është në Amerikë.
Denoncuesi – Dhe ti për këtë?
Qytetarë të tjerë – Eee, jemi për të!
Qytetari – Prandaj po të them s’je as i pari dhe as i fundit.
***
Bisedë me shitësin e apartamentit
Denoncuesi – Ça bën, si ke qenë?
Shitësi i apartamentit – A je mirë.
Denoncuesi – Unë po vij vërdallë.
Shitësi i apartamentit – Pse?
Denoncuesi – Akoma! Certifikatën s’ma japin, s’është noteri.
Shitësi i apartamentit – Po ku është ai?
Denoncuesi – Nuk e di, pyetëm atje na thanë ka ikur jashtë.
Shitësi i apartamentit – Po ç’faj kam unë?
Denoncuesi – Më vjen keq, nuk thashë që ke faj ti.
Shitësi i apartamentit – Jo, mo jo këta ça thonë? Se more sot, do e marrësh nesër, pasnesër, për një javë.
Denoncuesi – Po bën 5 muaj, më vjen keq.
Shitësi i apartamentit – Po mirë o, ti në shtëpi je.
Denoncuesi – S’është se kam gjë me ty.
Shitësi i apartamentit – S’po të nxjerr njeri jashtë ore.
Denoncuesi – Ti je në rregull. Ti e bërë tënden.
Shitësi i apartamentit – Ramë në një që shteti duhet të marrë masa. Këta njerëz që janë mashtrues.
Denoncuesi – I papërgjegjshëm, ç’punë kam unë.
Shitësi i apartamentit – Duhet t’i dënojë.
Denoncuesi – Ti korrekt, unë korrekt. Lekët i more. Je në rregull me lekët?
Shitësi i apartamentit – Lërë ne të dy tani. Dhe ti shtëpinë e more, jemi në rregull.
Denoncuesi – A i more lekët ti? Dëgjo Zanin…
Shitësi i apartamentit – Ay duhet vrarë, po kush duhet ta vrasë. Ai duhet ta gjejë.
Denoncuesi – Dëgjo çik Zanin, a i more lekët?
Shitësi i apartamentit – Po.
Fiksi – Ishim (te zyra), e di sa ishin njerëzit sot, radha.
Denoncuesi – Më ka hapur punë.
Shitësi i apartamentit – Po mirë o duhet të kapin këta të Hipotekës. Ai njere s’është tani, ku ta gjejmë ne tani. Vdiq ai tani, çdo bëjmë?
Denoncuesi – Pikërisht, duhet një zgjidhje.
Fiksi – Të paktën ti je në rregull, lekët i ke marrë.
Denoncuesi – Ai është në rregull.
Shitësi i apartamentit – Po lërë o lekët…
Denoncuesi – Jemi të dy korrekt dhe ai dhe unë.
Shitësi i apartamentit – Po lërë, kush e nxjerrë nga shtëpia jashtë atë tani. Po të jetë pishman unë prapë ia kthej paranë.
Denoncuesi – Unë s’po bëj dot një rregullim, një gjë.
***
Komisariati i Policisë, Korçë
Fiksi – Jam i interesuar për këtë noterin Kelti Manon.
Punonjësja e policisë – Është në Amerikë. Do të bësh ndonjë veprim këtu…
Fiksi – Kam hall ta di mos është në kërkim, ka ndonjë hall.
Punonjësja e policisë – Është në kërkim?
Fiksi – Eee.
Punonjësja e policisë – Di që është në Amerikë, se për çfarë arsye! Ke bërë ndonjë, pyet të shoqen.
Fiksi – S’po i gjej ndonjë numër, ndonjë gjë.
Punonjësja e policisë – E shoqja i punon në Prefekturë.
Fiksi – Në Prefekturë këtu?
Punonjësja e policisë – Po.
Fiksi – Si e ka…
Punonjësja e policisë – Vasjana e ka emrin.
Fiksi – Vasjana?!
Punonjësja e policisë – Vasjana Mano.
***
Shkojmë në Prefekturë, takojmë bashkëshorten e noterit
Fiksi – Duam të dimë ku ta gjejmë, si ta gjejmë.
Bashkëshortja e noterit – Nuk është, është në Amerikë ai te prindërit.
Denoncuesi – Si i bëhet?
Bashkëshortja e noterit – Do vijë nga fundi janarit.
Denoncuesi – Unë kam blerë shtëpi, po duhet të marr certifikatën.
Bashkëshortja e noterit – Po s’keni aplikuar?
Denoncuesi – Kemi aplikuar me noterin, me këtë…
Bashkëshortja e noterit – Si e keni emrin?
Denoncuesi – Zazan Duro, duheshin nja dy dokumente shtesë.
Bashkëshortja e noterit – Ëëë
Denoncuesi – I çova, me Keltin në Hipotekë. Aplikoi kelti dhe i çova unë në Hipotekë. Tani më thonë do e marrësh certifikatën te noteri, jo te neve.
Bashkëshortja e noterit – Ndoshta ai s’ju ka ardhur akoma? E kanë dërguar ata?
Denoncuesi – Futesh dot ti? Nuk e dimë ne, ne për këtë kemi ardhur.
Fiksi – Tani më e bukura është se shitësi i ka marrë lekët, ia ka dhënë lekët (noteri).
Bashkëshortja e noterit – Po keni rënë dakort ju që …
Denoncuesi – Jo, jo ia dha noteri. Unë i thashë pa marrë certifikatën mos ia jep lekët shitësit.
Bashkëshortja e noterit – Vetëm në Hipotekë mund të pyesni.
Denoncuesi – S’të qas njeri, vajtëm në Hipotekë.
Bashkëshortja e noterit – Ku pengohen letrat vetëm aty, se ata janë…
Denoncuesi – Te noteri që aplikuam, atje do e marrësh përgjigjen. S’të japim përgjigje. S’të del certifikata.
Bashkëshortja e noterit – E fundit që ka ardhur… s’ka ardhur me këtë emër, Zazan!
Fiksi – S’ka aplikuar fare?
Bashkëshortja e noterit – Nuk e di, nuk e di! Këtë s’e kontrolloj dot. Mua vetëm përgjigjet, thjeshtë që është i lidhur dhe thotë ku di unë ka ardhur një përgjigje për filan person. Po s’e kontrolloj dot unë, duhet të futet në sistem që ta shikojë.
Denoncuesi – Ai lekët i ka marrë, si ka mundësi që ai mori lekët?
Bashkëshortja e noterit – Nuk e di! Me aq sa kam njohje do interesohem të pyes dhe Keltit do i shkruaj njëherë. Ndoshta ai e di rastin. Më thotë dhe të t’ju them.
***
Kadastra Korçë
Denoncuesi – Ka ndonjë aty?
Punonjësi i ASHK Korçë – Ore është hequr shërbimi.
Denoncuesi – Edhe këtu është hequr?
Punonjësi i ASHK Korçë – Po pra, u hoq, u hoq po bën nja 4 ditë.
Punonjësi tjetër – Është një djalkë këtu te dera (shërbim privat), ai ju sqaron.
Top Channel