Bllokimi i mjeteve të rënda/ Veliaj: I qëndroj vendimit; Do bllokojmë edhe qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave në orën 07:00-09:00

20/01/2022 16:41

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë takimit me taksistët e kryeqytetit, vuri theksin te përmirësimi i trafikut në Tiranë, pas vendimit për kufizimin e lëvizjes së mjeteve të rënda. Veliaj tha se do i qëndrojë këtij vendimi pasi është për të mirën e qytetit.

Më poshtë një pjesë e fjalës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj:

Kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm dhe shumë të vështirë. I vështirë sepse ka shumë interes. Por, kemi marrë vendimin më të mirë për qytetarët, për taksitë, për autobusët, në një qytet me 1 milion vetë. Jo vetëm që nuk do i tërhiqem vendimit, por kërkoj edhe mirëkuptim. Vendimit do t’i qëndroj derisa qyteti të ketë Unazën e Madhe të plotë, sa të ketë disa akse të tjera dhe ne do vazhdojmë që paraditen t’ua lirojmë fëmijëve që shkojnë në shkollë, prindërve që shkojnë në punë dhe betoni, tulla, llaçi do bëhen natën, siç ndodh në çdo vend perëndimor.

Të njëjtën masë do ta marrim edhe për ata që bëjnë transport mallrash, që s’kanë lidhje me ndërtimin. Janë zakone që duhen mësuar, siç është mësuar gjithë bota, e s’do furnizohesh në orën 07:00. Nga ora 07.00-09.00 nuk do qarkullojë asnjë makinë që transporton mallra sepse kemi rreth 200 mijë fëmijë dhe studentë që shkojnë në shkollë që në orën 07.00 të mëngjesit dhe nuk mundet të të vonojë dikush për në shkollë apo spital, punë e aeroport, sepse po derdh beton apo dikush për një furnizim ka bllokuar gjithë lagjen.

Do t’i rri këtij vendimi dhe ashtu sikurse e ka përkrahur 99% e popullsisë së Tiranës, ta përkrahë dhe ai 1%, që mund të jetë pak më e pasur se shumica apo më të fortë në dukje, por përsëri janë pakica. 99% fiton mbi 1% dhe do i rrimë kësaj pune deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA