Presidenti amerikan, Joe Biden, ka parashikuar se Rusia do të bëjë lëvizje drejt Ukrainës, mirëpo ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin duket se ende nuk ka marrë ndonjë vendim.
Sipas Bidenit, Rusia do të përballet me pasoja të mëdha ekonomike nëse nis konflikt ushtarak.
“Nuk jam i sigurt se ai e di çfarë do të bëjë. Unë besoj se ai do të hyjë. Ai do të bëjë diçka”, ka thënë Biden në një konferencë për media më 19 janar, për të shënuar njëvjetorin e inaugurimit si president.
Mirëpo Biden ka thënë se sulmi ndaj Ukrainës do të përbënte “katastrofë për Rusinë”.
“Aleatët tanë dhe partnerët janë të gatshëm ta përballin Rusinë dhe ekonominë e saj me kosto të mëdha”, ka thënë Biden, duke përmendur sektorin e energjisë dhe atë bankar.
Ndonëse ushtria e Rusisë është më e fuqishme sesa ajo e Ukrainës, Biden ka sugjeruar se humbja e jetëve nga ana e rusëve, do të ishte e “madhe”.
Sa i përket Putinit, Biden ka thënë se beson që presidenti rus, “ende nuk do luftë të shkallës së gjerë”, por është duke kërkuar një përshkallëzim.
Rusia ka pozicionuar rreth 100,000 trupa afër kufijve të Ukrainës, si dhe në Gadishullin e Krimesë, duke rritur alarmin në kryeqytetet e Perëndimit se Moska po përgatitet për aksion ushtarak kundër Ukrainës.
Moska veçse mbështet separatistët në luftën në lindje të Ukrainës, si pasojë e së cilës kanë vdekur 13,200 persona prej vitit 2014, vitin e njëjtë kur është aneksuar edhe Krimeja.
Rusia ka hedhur poshtë pretendimet për pushtim, ndonëse ka bërë një sërë kërkesash për zgjerimin e NATOS-s dhe arkitekturën e sigurisë në Evropën Lindore.
Biden ka thënë se beson që Putin tenton të testojë NATO-n dhe se përgjigjja ndaj veprimeve të Rusisë do të varet nga aftësia e Perëndimit për të tejkaluar dallimet.
“Rusia do të mbahet përgjegjëse nëse pushton dhe varet çfarë bën. Është tjetër gjë nëse bëhet fjalë për një pushtim të vogël dhe ne (aleatët) përfundojmë duke u zënë rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo”, ka thënë Biden.
Shtëpia e Bardhë ka sqaruar më vonë deklaratën e Bidenit.
“Pavarësisht se çfarë forca ushtarake hyjnë në kufirin ukrainas, kjo përbën pushtim, i cili do të ketë një përgjigje të ashpër dhe të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Presidenti Biden e di nga përvoja e gjatë se rusët kanë mënyra të ndryshme të agresionit, përfshirë sulmet kibernetike dhe taktika paraushtarake. Ai e ka përsëritur sot se këto agresione të Rusisë do të përballen me përgjigje të vendosur, reciproke dhe të përbashkët”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Javën e kaluar, diplomatët rusë janë takuar me zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe kombet evropiane, për të diskutuar kërkesat e Moskës.
Bisedimet kanë përfunduar pa marrëveshje, dhe duke ia shtuar këtij fakti edhe retorikën e Moskës, zyrtarët e Perëndimit kanë mbetur të shqetësuar./REL
Top Channel