Deputetët Dhurata Çupi dhe Bledion Nallbati nga Komisioni i Ligjeve dolën sot në krah të banorëve tek 5 Maji kundër prishjes pa kontratë të shtëpive të tyre.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi tha se 430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
“Është historia e pushtetit të Edi Ramës, e nisur nga 2013-a. Mashtro njerëzit për votë dhe prishu shtëpitë pas zgjedhjeve”, tha znj.Çupi.
PD është krah banorëve jo vetëm me praninë e deputetëve, por edhe me asistencë ligjore për të paditur në prokurori çdo institucion në shkelje të ligjit dhe që mohon të drejtat e 430 familjeve.
Nallbati theksoi se banorët nuk janë kundër projekteve zhvillimore, por kundër paligjshmërisë dhe indiferences së Bashkisë Tiranë dhe Kryeministrisë. Ai bëri thirrje që policia dhe inspektoriati i ndërtimit të tërhiqet.
“Ne nuk mund ta lëmë tani atë proces kur atje matrapiku kërcet dhe shtëpitë po shemben dhe të merremi me këto punë. Sigurisht që këto janë çështje të rëndësishme, por këto presione. Atje shtëpitë shemben, banorët po dalin jashtë. Ndaj iu lutem të gjithëve si qytetarë, jo si deputet, si qytetarë, si prind, si fëmijë i atyre prindërve, të bëhemi bashkë dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi“, tha Nallbati.
Shembja e 4 banesave (nga 430 në total) që preken nga projekti i rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë është shoqëruar me tensione mes banorëve dhe Policisë.
Banorët kanë bërë rezistencë pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit, duke theksuar se ata nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe sipas tyre ata s’kanë ku shkojnë.
Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.
Top Channel