“Këshillimi Kombëtar”, pyetësori i krijuar nga qeveria për qytetarët do të kushtojë  25 milionë lekë, para që do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit i miratuar për vitin 2022.

Fondi është ndarë  në 19.7 milionë për reklamat në mediat audiovizive dhe të shkruara dhe realizimin e materialeve promocionale dhe 5.3 milionë do i kalojnë INSTAT për hedhjen në format digjital të të dhënave të pyetësorëve fizikë.

Çdo person mbi moshën 18 vjeç ka të drejtën të zgjedhë një nga tre alternativat që gjenden në formularin me 12 pyetje.

Formulari përmban pyetje që lidhen me denoncuesit e pagave fiktive, a duhet të mbrohen ata nga shteti si dhe a duhet të vijojnë të punojnë ata që kanë marrës statusin e pensionistit.

Amnistia e parave të fituara në emigracion, lejimi kultivimit, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak, detyrim vendosja e certifikatës së vaksinimit në ambientet publike, shtimi gjobave ndaj evazorëve fiskal, shtim ndëshkimi ndotësve të mjedisit, pezullim të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin çështjet në pyetësor.

Sikurse ato që lidhen me ndarjen nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e integrimit Europian, përfshi a është “Ballkan i Hapur” në interes të Shqipërisë.

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR AGJENCINË PËR DIALOG DHE BASHKËQEVERISJE DHE INSTITUTIN E STATISTIKAVE, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË “KËSHILLIMIT KOMBËTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Me qëllim vijimin e financimit të aktiviteteve mbështetëse, në funksion të programit të “Këshillimit Kombëtar”, të miratuar me vendimin nr.813, datë 24.12.2021, të Këshillit të Ministrave, Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në llogarinë ekonomike 602 ‘Shpenzime operative’, i shtohet fondi prej 19 700 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekësh, për aktivitetet e mëposhtme:

a) 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për fushatën promovuese të informimit publik për programin e “Këshillimit Kombëtar” në median audiovizive, të shkruar dhe/ose në mjetet e tjera elektronike të komunikimit masiv/rrjete sociale;
b) 4 700 000 (katër milionë e shtatëqind mijë) lekë, për realizimin e materialeve promocionale për programin e “Këshillimit Kombëtar”, të cilat do të përdoren në sheshet dhe/ose ambiente të tjera publike, ku kryhet plotësimi i pyetësorit gjatë kohëzgjatjes së procesit.

2. INSTAT-it, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në llogarinë ekonomike ‘Shpenzime korente”, i shtohet fondi prej 5 300 000 (pesë milionë e treqind mijë) lekësh, për hedhjen në format digjital të të dhënave të pyetësorëve fizikë (të mbledhur nga posta dhe nga pikat e dedikuara për plotësimin e tyre në sheshet dhe/ose ambientet e tjera publike), në funksion të programit të “Këshillimit Kombëtar”, të miratuar me vendimin nr.813, datë 24.12.2021, të Këshillit të Ministrave.

3. Fondi total prej 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe INSTAT-i për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA