Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Meta, në përfundim të një takimi me kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, në lidhje me caktimin e një date për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Partia Demokratike nuk habitet nga fakti që nuk është thirrur nga Presidenti Meta për tu konsultuar për zgjedhjet e ardhshme të pjesshme vendore.
Në një postim në Twitter, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi e ka quajtur teatrin e radhës para kamerave këtë takim.
“Asnjë habi nga qëndrimi i sotëm i Ilir Metës! Konsultimet mes trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë, para dhe pas kamerave. Sot ishte teatri i rradhës para kamerave”, shkruan Bardhi.
Presidenti i Republikës Ilir Meta të mërkurën zhvilloi një bisedë në Presidencë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit.
Në një deklaratë për mediat, pas takimit me Ballën, Meta tha se mori garancinë se Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore në çdo kohë.
Presidenti sqaroi se nuk ka pasur ftesë nga ana e tij për asnjë parti për tu konsultuar në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore, por se takimi me zotin Balla u zhvillua pasi ai është përfaqësuesi i shumicës në Kuvend, dhe ai duhej të sigurohej se shumica nuk do i bojkotonte zgjedhjet.
Meta tha se dy janë mundësitë kur mund të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, 27 shkurti ose 6 marsi.
Po ashtu, dy ditë më parë, Presidenti i dërgoi një shkresë zyrtare Kryeministrisë, duke i kërkuar informacion mbi numrin e Bashkive të mbetura pa kryetar.
Kjo letër vjen pas përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.
“Kush janë saktësisht ato njësi vendore në të cilat përgjatë kësaj periudhë 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkisë u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, nënvizon Presidenca.
KQZ-ja, përmes një shkrese zyrtare, i ktheu më herët përgjigje presidentit Meta, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Meta kishte kërkuar informacion nga KQZ-ja në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të Bashkive.
Në përgjigje, KQZ shkruan se, Bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se, nuk ka dijeni për Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.
Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.
Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.
Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.
Top Channel