Presidenti i Republikës Ilir Meta të mërkurën u takua në Presidencë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit.

Në një deklaratë për mediat, pas takimit me Ballën, Meta tha se mori garancinë se Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore në çdo kohë.

Presidenti sqaroi se nuk ka pasur ftesë nga ana e tij për asnjë parti për tu konsultuar në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore, por se takimi me zotin Balla u zhvillua pasi ai është përfaqësuesi i shumicës në Kuvend, dhe ai duhej të sigurohej se shumica nuk do i bojkotonte zgjedhjet.

Meta tha se dy janë mundësitë kur mund të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, 27 shkurti ose 6 marsi.

Nuk ka pasur ftesë zyrtare për asnjë parti për konsultime. Për ta zgjidh këtë çështje, ju i dini iniciativat e mia zyrtare si me KQZ , si me qeverinë dhe Kuvendin dhe në të gjitha veprimet që kam bërë. Do ketë një komunikim zyrtar sot, nëse do të kisha ftesë për partitë, nuk kishte ftesë as për PS, se do ja kisha çuar kryetarit, por ka pasur një kërkesë informale, për një konsultë me kryetarin e shumicës në Kuvend, zoti Balla, meqë kemi pasur disa dilema të interpretimit të datës së zgjedhjeve. Në gjykimin tim, besoj duhet të jepja një sqarim për Ballën si përfaqësues i shumicës në Kuvend për një mendim të komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që çdo ditë e më shumë për ta do të ishte ndihmuese. Nuk ka pasur konsultim me partitë, por me përfaqësuesin e shumicës në Kuvend që të mos kishim polemika me shumicën. Tani ose 27 shkurti ose 6 marsi, janë si data, KQZ është e rëndësishme se ajo do të merret me këtë proces“, tha ai.

Dy ditë më parë, Meta i dërgoi një shkresë zyrtare Kryeministrisë, duke i kërkuar informacion mbi numrin e Bashkive të mbetura pa kryetar.

Kjo letër vjen pas përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.

Kush janë saktësisht ato njësi vendore në të cilat përgjatë kësaj periudhë 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkisë u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, nënvizon Presidenca.

KQZ-ja, përmes një shkrese zyrtare, i ktheu më herët përgjigje presidentit Meta, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Meta kishte kërkuar informacion nga KQZ-ja në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të Bashkive.

Në përgjigje, KQZ shkruan se, Bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se, nuk ka dijeni për Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA