Kryeeksperti amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci tha se ishte shumë herët për të parashikuar nëse përhapja e shpejtë e omicron do të ndihmonte në zhvendosjen e koronavirusit nga një fazë pandemike në një fazë endemike të kontrollueshme.
Për shkak se omicron transmetohet shumë lehtë, por ka më pak gjasa të shkaktojë sëmundje të rënda sesa disa variante të mëparshme, mund të shënojë kalimin nga një kapitull pandemik në një fazë endemike, tha Fauci.
“Por ky do të ishte rasti vetëm nëse nuk marrim një variant tjetër që i shmanget përgjigjes imune ndaj variantit të mëparshëm. Ne ishim me fat që omicron nuk ndante disa nga të njëjtat karakteristika si delta. Por numri i madh i njerëzve që infektohen e tejkalon atë nivel shumë më të ulët të patogjenitetit. Kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të përpiqen qëllimisht të infektohen me omicron,” shtoi ai.
Ndryshe, drejtori i menaxhimit të krizave të OBSH-së Michael Ryan deklaroi sot se fakti që pandemia e COVID-19 një ditë do të jetë endemike nuk do të thotë se virusi nuk do të jetë më i rrezikshëm. “Ne nuk do të shpëtojmë nga virusi këtë vit. Ne mund të mos e zhdukim kurrë virusin. Viruset që shkaktojnë pandemi mund të bëhen lehtësisht pjesë e ekosistemit,” tha Ryan.
Shfaqja e omicron, e cila është shumë më ngjitëse se versionet e tjera të COVID-19, por që shkakton simptoma shumë më të lehta te njerëzit e vaksinuar, ka ndezur një debat për kthimin e pandemisë, të shpallur në fillim të vitit 2020, në një formë të caktuar endemike. Ky diskutim në përgjithësi nënkupton se ai është shumë më pak i rrezikshëm.
Top Channel