Presidenti rus do të takojë homologun e tij iranian në Moskë

18/01/2022 14:30

Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me homologun iranian, Ebrahim Raisi më 19 janar në Moskë, ndërkohë që zhvillohen negociatat për ringjallje të marrëveshjes bërthamore, të cilën Teheran e ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Kjo do të shënojë vizitën e tretë të Raisit jashtë Iranit – pas Taxhikistanit dhe shtetit fqinj Turkmenistanit – prej kur ai ka marrë pushtetin në gusht të vitit 2021.

Ky njëherësh shënon edhe takimin e parë të një presidenti iranian në Rusi prej vitit 2017.

Moska dhe Teherani kanë lidhje të forta politike, ekonomike dhe ushtarake dhe janë aleate të presidentit sirian, Bashar al-Assad në shtetin e tij të shkatërruar nga lufta.

Putin dhe Raisi do të diskutojnë “një mori çështjesh në kuadër të bashkëpunimit bilateral” duke përfshirë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që parasheh heqjen e sanksioneve të Perëndimit, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Pala iraniane ka thënë se Raisi do të niset më 19 janar për një udhëtim dyditor në Rusi, bashkë me ministrat për naftë, ekonomi dhe punë të jashtme.

Marrëveshja bërthamore ka nisur të mos zbatohet prje kur kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr njëanshëm Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet, duke shtyrë Teheranin që ta shkelë paktin.

Prej vitit të kaluar, Irani është duke zhvilluar negociata me shtetet tjera nënshkruese të marrëveshjes – Britaninë, Francën, Rusinë, Kinën, Gjermaninë – dhe SHBA-në në mënyrë indirekte, për të ringjallur marrëveshjen, mirëpo negociatat janë pezulluar për gati pesë muaj, në kohën kur Irani ka mbajtur zgjedhjet presidenciale.

Një ndër çështjet kyçe të bisedimeve është edhe ajo e rikthimit të SHBA-së në marrëveshje dhe heqje të sanksioneve, në mënyrë që Irani ta zbatojë këtë pakt plotësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA