Erdogan në Tiranë, jehona në Greqi/ Media greke komenton vizitën e presidentit turk, “vizitë e një sulltani”

18/01/2022 15:05

Vëmendje e veçantë i është dhënë nga shtypi grek vizitës së presidentit turk Erdogan në Shqipëri me analiza dhe komente të ndryshme dhe sidomos kërkesën e tij për shfarosjen e gylenistëve.

“Përqafime dhe dorështrëngime Rama me Erdogan  në Tiranë, ndërkohë që Meta bën rebelin”, është titulli i artikullit të gazetës Naftemporiki që thekson se nuk është rastësi që ndërsa Erdogan iaguronte qindra shtëpi për të dëmtuarit nga tërmeti i 2019, disa kilometra më larg, në qytetin e Lezhës, presidenti Ilir Meta bënte homazhe tek monumenti i heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti në përvjetorin e vdekjes së tij.

Për një vizitë simbolike në Shqipëri në një atmosferë tepër të ngrohtë ku presidenti turk ka përuruar projekte të financuara nga Turqia, bën fjalë artikulli i të përditshmes Kathimerini.

Theksohet fakti që është vizita e parë zyrtare për këtë vit jashtë vendit, i shoqëruar nga zyrtarët më të lartë të kabinetit, ndërsa përshkruhen 7 marrëveshjet tregtare, arsimore dhe ushtarake që nënshkroi me kryeministrin shqiptar.

Televizioni privat Open i ka kushtruar një kronikë të gjatë vizitës duke theksuar se Erdogani kërkon aleatë dhe mbërrin në Tiranë me dhurata dhe premtime. Sipas kronikës televizive, ai kërkon të luajë rolin e mbrojtësit të shteteve të Ballkanit, por nga ana tjetër, nismat e solidaritetit  nuk janë pa kompromis, pasi pas tyre qëndron zgjerimi i ndikimit turk në Shqipëri.

Edhe gazeta Protothema në artikullin e titulluar “Çfarë bëri Erdogani në Shqipëri”, u vë theksin lavdërimeve të kryeministrit shqiptar ndaj Erdoganit, duke veçuar shprehjen “Nuk ka shumë njerëz si ai në politikën ndërkombëtare. Ai bën atë që thotë dhe thotë atë që bën”.

Madje duke krahasuar me periudhën e Perandorisë Osmane, Protothema karakaterizon Edi Ramën si një pasha lokal dhe Erdoganin si një sulltan të plotfuqishëm. Artikulli gjithashtu vë në dukje se vitet e fundit, Turqia ka përdorur sistematikisht ekonominë, fenë, kulturën, bamirësinë dhe ndihmën humanitare për të zgjeruar ndikimin e saj në vende të tjera, veçanërisht në Shqipëri, ku investimet turke vlerësohen në rreth 3.5 miliardë dollar dhe ka rreth 600 kompani turke që operojnë në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA