Kapedani pranon shkeljen disiplinore, KLGJ vendos që ‘gjyqtarja e TikTok-ut’ të paguhet me pagë minimale për një periudhë gjashtë mujore

17/01/2022 12:02
Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Enkeleda Kapedani, gjyqtarja e pezulluar

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani është pezulluar nga detyra me të drejtën për të marrë një pagë minimale për gjashtë muaj. Kapedani u bë e njohur për shkak të publikimit të videove në TikTok, ndërsa sfilonte në mjediset e gjykatës.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar këtë të hënë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Kapedani ka pranuar shkeljen e saj disiplinore, duke bashkëpunuar kështu me drejtësinë. Kjo ka bërë që KLGJ të kërkojë marrëveshje me gjyqtaren, një kërkesë kjo që është pranuar edhe nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e pranoi marrëveshjen mes palëve dhe masën disiplinore “Pezullim”, ndaj magjistrates, me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj”.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë vendosi të pranojë marrëveshjen bazuar në rrethanat e reja të krijuara, me argumentin se magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, duke kërkuar ndjesë, por dhe shfaqi pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj.

ILD thekson se gjyqtarja Kapedani u tregua bashkëpunuese dhe nuk shfaqi asnjë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit.

Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Në maj 2021, ndërsa mbante detyrën e nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit, Kapedani u vendos në fokus të mediave dhe institucioneve të drejtësisë për shkak të publikimit të disa videove në rrjetin social TikTok.

ILD nisi menjëherë një hetim disiplinor dhe i konsideroi videot si sjellje që diskretitojnë figurën e gjyqtarit, ndërsa Kapedani pretendoi se videot ishin publikuar për t’i dëmtuar imazhin dhe kërkoi të gjykohej për punën e saj si gjyqtare. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e saj nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA