Sistemi i mbrojtjes sociale në vend është ende larg funksionimit të plotë të saj dhe mbetet në nivele mjaft të ulta, duke bërë që shumë njerëz të mos përfitojnë nga skemat e sigurimeve shoqërore apo nga programe të tjera si ndihma ekonomike.
Këtë e pranon edhe vetë qeveria në draftin për reformat ekonomike 2022-2024 ku me gjithë përmirësimin, shpenzimet për mbrojtjen sociale janë ndjeshëm poshtë rajonit dhe gati sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian, me vetëm 9.4% të PBB-së.
Sipas dokumentit, skema e ndihmës ekonomike që është edhe programi kryesor për të varfrit në Shqipëri po has pengesa të mëdha.
Niveli i përfitimit dhe mbulimit të saj nuk është adekuat me nevojat e popullsisë që janë pjesë e programit thuhet në dokument dhe për këtë qëllim pritet që të rishikohet formula e targetimit bazuar në llogaritjet e treguesve të varfërisë me qëllim rritjen e mbulimit të mbrojtjes sociale për reduktimin e varfërisë në vend.
Strategjia për mbrojtjen sociale përfshin edhe krijimin e një fondi social që synon mbështetjen e bashkive për ofrimin e shërbimeve të reja për grupet në nevojë dhe mbështetjen e familjeve në ndihmë ekonomike edhe me paketa sociale shëndetësore e për këtë qëllim është parashikuar një fond prej 200 milionë lekë në vitet 2022-2024.
Përmirësimi i kuadrit të mbrojtjes sociale duke shënjestruar njerëzit më në nevojë ka qenë një rekomandim i vazhdueshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar i evidentuar edhe në raportin e tij të fundit për vendin.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Megjithëse shkalla e varfërisë shënoi rënie krahasuar me 2019, në raportin e fundit të INSTAT rezulton se mbi 621 mijë individë jetojnë në kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, pra me më pak se 5,5 dollarë në ditë.
Sistemi i mbrojtjes sociale në vend mbizotërohet nga skemat e sigurimeve shoqërore që përfshijnë pensionet e përfitimet e papunësisë si dhe programet e tjera si ndihma ekonomike apo pagesat për personat me aftësi të kufizuara.
Top Channel