Prej kulmit të krizës ekonomike në fillim të dekadës së kaluar, inflacioni në Greqi ka shënuar rekord në 11 vitet e fundit sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (ELSTAT ) duke shkuar në masën 5.1% në dhjetorin e vitit 2021 dhe duke shkaktuar një zinxhir rritjesh çmimesh sidomos në energji dhe artikujt ushqimorë.

Në ndryshimet kryesore të çmimeve që nga dhjetori 2020, shënohet një rritje prej 135,7% në gazin natyror, 45% në energjinë elektrike dhe 34,1% tek nafta e ngrohjes .

Kjo ka sjellë edhe një rritje çmimesh në supermarkete të produkteve të përditshme ushqimore në masën deri në 20%, çka u pasqyrua në ditët e festave të fundvitit kostoja e të cilave ishte 18.5% më e lartë se e vitit të kaluar.

Në kategorinë e shportës ushqimore është e dukshme rritja e mishit të qengjit me 19.7%, e vajit të ullirit me 17%, e patateve me 14%, e makaronave me 7.6%, e perimeve dhe e djathërave me 5.5%, e bukës me 4.9%, e çokollatave me 4% dhe e kafesë me 3.4%.

Siç ka deklaruar kryeministri grek në një intervistë të fundit , qeveria do përpiqet të sjellë më shpejt për aprovim ligjin për rritjen dytë me 7% të pagës minimale, që prej 1 Janarit të këtij viti është rritur me 2%.

Ky aspekt bashkë me uljen e taksave dhe kontributet e sigurimeve, si dhe rritjen e zhvillimit ekonomik edhe për 2022 në masën 4.5-5%, pritet të sjellin një lehtësim në përballimin e kësaj vale shtrenjtësie dhe inflacioni ,fenomen që sipas Athinës zyrtare është i dukshëm edhe në shtetet e fuqishme si Gjermani apo SHBA.

Theksohet gjithashtu se prej shtatorit qeveria greke ka lëvruar për qytetarët dhe bizneset një paketë ndihme prej 1.3 mld euro , për përballimin e kostove të energjisë elektrike , gazit natyror dhe naftës për ngrohje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA