Policia greke ka sekuestruar të shtunën paradite një sasi prej afro 320 kg kanabis sativa në zonën e Epirit.
Në njoftimin për mediat, policia helene tha se lënda narkotike ishte fshehur në brendësi të një autoambulance të një klinike private të zonës së Epirit dhe kishte si destinacion kryeqytetin e vendit, Athinën.
Mësohet se sasia e kanabisit ishte ngarkuar në zonën kufitare me Shqipërinë.
Në pranga ra drejtuesi i autoambulancës, një shtetas grek 50 vjeç, të cilin iu gjetën edhe 900 euro cash, tre celularë dhe dy doza kokainë për përdorim personal.
Përpara hetuesve i arrestuari deklaroi se lëndën narkotike e kishte marrë në dorëzim prej një shtetasi shqiptar dhe do ta dorëzonte në Athinë, në një adresë që ende nuk e kishte mësuar.
Ai tha se trafikantët do ta njoftonin vetëm atëherë kur sasia e drogës të mbërrinte në kryeqytet.
Në lidhje me transportin e sasisë së lëndës narkotike ai do të paguhej 300 euro kilogrami.
Autoritetet greke janë të bindura se organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë prodhimin e kanabisit në vendin tonë, por janë tepër të kujdesshme për sa i përket transportit të saj, duke zgjedhur mjete dhe metoda të pa eksploruar më parë prej tyre.
Personi i arrestuar do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie, ndërsa hetimet për zbardhjen e skemës së trafikut do të vazhdojnë.
Top Channel