Ulja e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve në fund të vitit të kaluar ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në numrin e policave të shitura nga kompanitë e sigurimit.
Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për muajin nëntor 2021 numri i kontratave të sigurimit për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta (TPL) arriti në 43,459. Krahasuar me nëntorin e vitit 2020, numri i kontratave të lidhura është rritur me gati 25%.
Ky ishte ritmi më i lartë i rritjes së vjetore të kontratave të sigurimit qysh nga muaji mars 2021. Megjithatë, në muajin mars, rritja e numrit të kontratave reflektoi kryesisht diferencat e shkaktuara nga mbyllja drastike e ekonomisë në mars të vitit 2020, pas shpërthimit të pandemisë. Kufizimi i lëvizjeve bëri që shumica e drejtuesve të mjeteve të mos e rinovonin policën e sigurimit të detyrueshëm dhe shkaktoi rënie të fortë të numrit të kontratave. Rritja e lartë në marsin e këtij viti reflekton thjesht kthimin në normalitet të krahasuar me një periudhë të mbylljes. Përkundrazi, rritja tejet e lartë e numrit të kontratave në nëntor të këtij viti duket të jetë rezultat i uljes drastike të çmimeve të aplikuar nga kompanitë e sigurimit të jo-jetës.
Në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve pësuan rënie të ndjeshme në ditët e fundit. Sipas vrojtimeve të kryer nga Monitor pranë agjentëve të shitjes, çmimet e sigurimit të detyrueshëm në këtë periudhë zbritën deri në 13 mijë lekë. Kjo shumë është pothuajse 30% më pak në raport me çmimin zyrtar të shkruar në policën e sigurimit, ndërsa më parë ulja maksimale kundrejt çmimit të policës mund të arrinte deri në 15%. Mekanizmi kryesor nëpërmjet të cilit kryhet ulja e çmimit të sigurimit është komisioni që kompanitë ofrojnë për agjentët e shitjes. Sipas burimeve, komisionet në nëntor arritën pranë nivelit 45%. Komisioni në masën 45% do të thotë se për një policë sigurimi me çmim zyrtar 19 mijë lekë, kompania merr vetëm rreth 10,500 lekë. Diferenca prej 8500 lekësh i ngelet agjentit, që mbi këtë bazë negocion çmimin e shitjes me blerësin, duke aplikuar uljen që çmon të arsyeshme. Situata u stabilizua vetëm në muajin dhjetor, kur çmimet e sigurimit TPL iu kthyen niveleve të mëparshme.
Kompanitë e sigurimit nuk u prononcuan zyrtarisht lidhur me arsyet që shkaktuan uljen e çmimeve. Megjithatë, ekspertë shprehen se kjo mund të jetë shkaktuar nga rritja e komisioneve të shitjes nga kompani të veçanta, lëvizje që i ka detyruar edhe kompanitë e tjera të përshtaten, për të mos humbur pjesë tregu.
Një arsye që mund të ketë nxitur këtë lëvizje është miratimi i rregullores së re “Për komisionet e ndërmjetësimit”, në të cilën AMF përcakton nivelet tavan që nga viti 2022. Duke filluar nga 1 janari 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të japin komisione ndërmjetësimi më të larta se 20% e primit të shkruar bruto. Pas një viti, në 1 janar 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Ulja e përkohshme e çmimeve mund të interpretohet si një tentativë për të fituar pjesë tregu në këtë produkt, para hyrjes në fuqi të rregullores së mësipërme.
Sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është me diferencë të madhe produkti kryesor në tregun shqiptar të sigurimeve. Në fund të 11-mujorit 2021, primet e shkruara bruto nga ky produkt përbënin 56% të tregut të sigurimit të jo-jetës, për një vlerë totale prej rreth 9 miliardë lekësh. /Monitor
Top Channel