Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është autoriteti rregullator, koordinues dhe përgjegjës për të dhënat shtetërore. E gjithë siguria teknike e institucioneve shtetërore, infrastruktura, ngritja e rrjeteve dhe kujdesi është i qendërzuar tek Agjencia e cila në vetvete është nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Nëse platformat kompjuterike thyhen apo ka ndërhyrje, është ky institucion i cili duhet të mbajë përgjegjësinë.
Bie në sy fakti se në listëpagesën e bërë publike, ekspertët IT Eni Qirjako dhe Andi Agaraj rezultojnë punonjës të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit si specialist të nivelit të lartë. Është e paqartë se pse në dosjen hetimore thuhet se punojnë te tatimet. Ajo që dihet është fakti se ekspertët e AKSHI-t janë të atashuar pranë institucioneve si përgjegjës për sistemet kompjuterike.
“Me informacionet që kam në këtë zyrë janë grumbulluar të dhëna për interesa të një grupi interesash jashtë AKSH dhe janë përdorur. Fakti që po dalin sot dikush nga ky grup pune ka ceduar në sigurinë apo marrëdhënien që kanë pasur më parë dhe po inxjerr këto të dhëna pak nga pak”
Është e qartë se bazat e të dhënave për pagat kanë dalë nga e njëjta dorë. Po kryhen ende hetime për të zbuluar nëse janë po këta persona përgjegjës për nxjerrjen e të dhënave të targave. Edhe për rastin patronazhisti, janë pikërisht të dhënat e siguruara nga këta shtetas që janë përdorur.
Siç zbuluam nga përgjimet mes Qirjakos dhe Agarajt, bisedat mes tyre për sigurimin e të dhënave kanë nisur që në Shkurt të vitit 2021 dhe kanë vijuar gjatë Prillit, pra, muajit të fushatës.
“Bëra një kontroll me filen exel që doli me rrogat e prillit. Nqs faqen e dytë të filet ne kishim një listë tjetër të dhënave personale dhe kishim një numër rendor në të majtë, që është ekzakt numri rendor i listës së patronazhistëve që doli në fillim të prillit. Teknikisht mendoj që është e njëjta listë dhe e njëjta dorë që i ka grumbulluar” u shpreh eksperti IT, Gent Progni.
Nëse marrim shembull konkret, numrin rendor 365222 te lista e patronazhistëve, ai përputhet si numër dhe person edhe në listën tjetër të numrave të telefonit që u publikua së fundi. Ajo që përforcon dyshimin është fakti se emri i personit ka të njëjtin gabim ortografik në të dyja listat, si në atë të patronazhistëve edhe tek ajo e numrave të telefonit.
Tani le të shohim një tjetër numër rastësor ku konstatohen gabime ortografike. Konkretisht numrin rendor 619 tek dokumenti i patronazhistëve. Nëse e ballafaqon të njëjtin numër te lista e pagave sërish përputhet personi.
Sipas verifikimeve të kryera nga Top Story, të gjithë numrat rendorë përputhen. Po ashtu, edhe gabimet ortografike janë të njëjtat çka tregon se Informacionet e përdorura janë pikërisht bazat e të dhënave që u vodhën nga shtetasja Eni Qirjako.
“Ajo që logjikisht duhej të kishte ndodhur duhej menjëherë, jo kërkesa për sekuestro e portalit që ekspozoi skandalin, por do duhej të shkohej për sekuestruar databazat e sevrverave shtetëror që i kanë këto të dhëna” u shpreh Gert Shella, drejtor eksekutiv INFOÇIP.
Top Channel