Nga kontrolli në databazën publike, Ikonomi rezulton drejtor i kompanisë “Credit 2 All”. Nga verifikimi në QKB subjekti është në pronësi të oligarkut rus Oleg Boyko, një personi me pasuri mbi 1.3 miliardë dollar. Në një raport të senatit amerikan ai konsiderohet person me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, strukturat e inteligjencës ruse si dhe krimin e organizuar.
Në të njëjtin raport përmenden edhe angazhime të tij për të influencuar në procese të jashtme zgjedhore për llogari të Kremlinit. Nuk dihet nëse të dhënat janë blerë nga Ikonomi për llogari të shefit të tij rus dhe për interesat e Kremlinit, por informacionet për të skhkuarën e biznesmenit rus e bëjnë situatën më tepër se sa serioze.
“Do i shkohet deri në fund çdo lloj subjekti të përfshirë në këtë veprimtari çfarëdolloj niveli qoftë ai. Po hetojmë jo vetëm autorët që kanë marrë të dhënat por edhe në drejtim të hetimit të qëllimit të përdorimit të këtyre të dhënave për efekt të shpërndarjes së tyre të përgjithshme” u shpreh kryeprokurorja, Elisabeta Imeraj.
“Problem që lidhet me sigurinë kombëtare është që këto të dhëna kanë dalë nga institucione kombëtare dhe janë thyer protokolle. Nëse janë goditur nga jashtë ky është një problem tjetër i madh” u shpreh Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë kombëtare.
Bën përshtypje fakti se Endri Ikonomi është larguar nga administrimi i kompanisë ruse në 17 Shtator të vitit 2021 për ti lënë vendin shtetasit të huaj Vlado Cvetkovski. Nuk dihet nëse është larguar për të humbur gjurmët e lidhjeve me oligarkun rus dhe rolin e mundshëm të tij në këtë histori. Por, listëpagesa e muajit Prill e publikuar nga vetë Ikonomi e ka dekonspiruar.
Referuar veprimeve hetimore dorëzimi i materialeve është bërë kundrejt shpërblimeve nga 20 deri në 30 mijë lekë. Sipas prokurorisë, shtetasit Sota dhe Ikonomi janë përmbarues privatë.
Por, pas deklaratës së prokurores, ka reaguar dhoma kombëtare e Përmbaruesve privatë që i cilëson Sotën dhe Ikonomin mashtrues dhe jo përmbarues. Në reagim thuhet se ata kanë çelur biznese mikrokredish për blerjen e borxheve të këqija dhe të dhënat i kanë përdorur për të shantazhuar qytetarët. Kjo, mund të jetë një tjetër linjë ku mund të fokusohen hetimet. Një skemë e ngjashme është zbuluar më herët nga Top Story përmes dy serive të dokumentarit “Zhvatje përmes Kredive”.
Nga këqyrja e e-mailit të shtetases Qirjako dhe kolegut të saj Agaraj, rezulton se janë vjedhur të dhënat e pagave edhe për të paktën 4 muaj të tjerë që nuk janë bërë publike. Konkretisht për muajt Shtator 2020, Tetor 2020, dhjetor 2020 dhe Mars 2021.
Top Channel