Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha këtë të mërkurë para gazetarëve se do të ishte humbje kohe nëse Gjykata Kushtetuese do t’i drejtohej Komisionit të Venecias për vendimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta.
“Detyra ime është që e para të mos harrojmë që në 18 janar zhvillohet seanca e parë e Gjykatës Kushtetuese, ku pala e parë është kuvendi, e njëjta shumicë që mbart përgjegjësi. Nuk e di kur Gjykata Kushtetuese do shprehet për vendimmarrje. Ajo që kemi gjetur në raportin përfundimtar të komisionit Hetimor janë fakte dhe prova që justifikojnë shkarkimin. Në momentin e shkarkimit, kuvendi ushtron kompetencat dhe vijon zgjedhjen e presidentit të republikës. Jo më pak se 20 firma mund të mbështesin një kandidat. Në mes të prillit vijon procedura normale, në rastin e parashikuar dhe nga kushtetuta. Është procedurë ekstra kjo që hyn në aktivitetin. Kushtetuta ka parashikuar që në tre raundet e para presidenti zgjidhet me shumicë 3/5 e kuvendit ose me shumicë të thjeshtë, gjysma +1. jemi herët për zgjedhjen e presidentit të ri”, tha Balla.
“Opinionet e vyera të Venecias kanë qenë ndihmuese, por biem dakord që opinioni i Venecias ka ardhur, ekziston, Gjykata Kushtetuese e ka jurisprudencën e nevojshme, do ishte humbje kohe, ndërkohë që ajo që ka më shumë rëndësi është vendimmarrja e Kushtetueses. Ajo ka agjendë prioritare, koha ka qenë në dispozicion, ka qenë e qartë që prej ditë së parë. Vendimi do të përshëndetet çfarëdolloj të jetë ai, sepse gjykata përfaqëson Kushtetutën”, sipas Ballës.
Kujtojmë se më 18 Janar shtatë gjyqtarët kushtetutes do marrin në dorë fatin e presidentit. Nje vendimmarrje e kësaj gjykate pro vendimit të Kuvendit mund të shënojë edhe precedentin e parë të shkarkimit të një Presidenti.
I shkarkuar apo jo nga Gjykata, Ilir Meta mund të rikthehet shumë shpejt në arenën politike, pasi më 24 Korrik 2022 mandati i tij si President përfundon natyralisht.
Top Channel